Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Divjakë, ku kryetari i bashkisë Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij Gazmend Bullari, janë plagosur me thikë.

Autori i plagosjes është Erges Xhelili, i cili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës.

Pas një sherri mes tyre në afërsi të bashkisë, Xhelili ka tentuar ta godasë rëndë me mjet prerës kryebashkiakun, ku ka ndërhyrë edhe shoferi i tij , i cili gjithashtu ka marrë plagë.

Nusja e Xhelilit aktualisht punon si shefe e infermiereve tek poliklinika e Divjakës. I plagosuri është transportuar në spitalin e Lushnjës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ku mësohet se do i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Ende nuk janë bërë të qarta arsyet e konfliktit mes tyre, ndërsa grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Divjakë / Informacion paraprak

Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.

Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.

Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel