Fiks Fare solli histori të dy qytetarëve të cilët prej vitesh trajtoheshin me KEMP me diagnoza të ndryshme.

Dritan Biçaku banues në fshatin Thanasaj të qytetit të Rrogozhinës i cili vuante nga një çrregullim gjenetik i quajtur Hypocondroplazi ose e thënë ndryshe shkurtësi e trupit kërkoi ndihmën e Fiksit si pasojë e ndërprerjes së ndihmës ekonomike.

Dritani tregoi për gazetarët e Fiksit se kishte 19 vite që trajtohej me ndihmë ekonomike për persona me aftësi të kufizuar për të njëjtën diagnozë, por së fundmi pa një arsye ishte njoftuar nga punonjësit e shërbimit social të njësisë administrative Dushk se nuk mund të merrte më shumën që merrte prej vitesh pasi kështu i kishte ardhur një vendim nga KMCAP-Epror. Dritani jetonte me 3 vajzat e tij dhe bashkëshorten. Kjo e fundit vuante nga probleme të shëndetit mendor. Qytetari shprehte shqetësimin se me çfarë do të blinte ilaçet e muajit që do t’i jepte mjeku për zemrën dhe mëlçinë pasi nuk kishte shumë të ardhura.

Gazetarët e Fiksit bashke me qytetarin ju drejtuan Njësisë Administartive Dushk për të marrë një shpjegim, por në një bisedë telefonike me punonjësen e kësaj njësie, kjo e fundit tha se edhe pse dosja ka mbërritur në kohën e duhur bashkë me egzaminimet që i janë lënë si detyrë pacientit, faktin që ky zotëri të jetë pa grup e ka marrë KMCAP Epror, por në momentin që do të vijë vendimi do të ankimohet nga ana e tyre për ta rivlerësuar edhe një herë si çështje.

Altin Met-hasani banor në qytetin e Rrogozhinës ka kërkuar ndihmën e Fiks Fare pasi  prej 11 vitesh trajtohej me statusin para-tetra plegjik dhe prej 1 viti i është ndryshuar statusi dhe i është hequr paketa higjeno-sanitare për këtë grup.

Altini tregon se në moshën 12 vjeçare i ka plasur një granatë në duar ku i ka shkaktuar dëme të shumta në shikim dhe në këputje gjymtyrësh. Disa vite më vonë pëson një aksident me makinë, ku teksa po ecte në rrugë një automjet e përplas duke i këputur kështu këmbët.  Altini thotë se egzaminimet e lëna si detyrë i ka kryer të gjitha në kohë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje se përse i është ndërprerë kempi. Teksa gazetarët kërkojnë informacion në KMCAP Epror këta të fundit thonë se vendimi është marrë në muajin  Qershor 2022 ku Komisioni Epror e ka vlerësuar qytetarin me statusin Para-Tetraplegjik po ashtu merr dhe paketën higjeno-sanitare.

Në po të njëjtën kohë ky institucion shpjegohet se dokumenti i këtij vendimi është skanuar nga KMCAP Epror me datë 27 Tetor 2022.  Por gjate interesimit të gazetarëve  me punonjësit e KMCAP, Altini u telefonua nga punonjësi i shërbimit social të bashkisë Rrogozhinë, dhe i tha se do ta vizitonte në shtëpi. Gazetarët e pritën në shtëpinë e qytetarit  por punonjësi nuk pranoi të fliste, por kishte siellë vetëm një pako me ushqime.

Redaksia e Fiks Fare ju drejtua me një kërkesë tjetër për informacion KMCAP Epror në lidhje me vonesën e zbardhjes së vendimit për përfitimin e statusit para dhe tetra-plegjik për shtetasin Altin Methasani.

Nga ky institucion na u tha se pacienti  me  datën   09 qershor 2022 është vlerësuar nga Komisioni Epror gjendja shëndetësore e tij dhe është lënë si detyrë realizimi i një konsulte pranë QSUT.  Në muajin Shtator 2022 zoti Altin Met-Hasani ka dorëzuar konsultën e kërkuar nga KMCAP-i Epror ,  dhe me datë  09 shtator 2022 është vlerësuar përfitues i Statusit të Para-Tetraplegjisë dhe Nuk ka asnjë vonesë nga institucioni në zbardhjen e vendimit apo skanimit pasi konsulta nga qytetari është sjellë në muajin Shtator. Vendimi i KMCAP- it Epror mban datën 09 Qershor 2022 pasi pavarësisht datës në të cilën qytetari ka sjellë konsultën e lënë detyrë, data e vendimit mban datën e mbledhjes së komisionit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel