Katër serat në pronësi të Hamdi Dylit me sipërfaqe 2 hektar u shndërruan në kapanon droge ku në një operacion të beftë të policisë u gjetën rreth 800 kg drogë që po përpunohej dhe u arrestuan 11 persona si organizatorë të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Po ashtu u sekuestruan edhe 2 pistoleta, 1 kallashnikov municion luftarak dhe një sasi e konsiderueshme parash të fituara nga aktiviteti kriminal.

Në deklaratën për shtyp policia e shtetit nuk sqaroi se ku ishte kultivuar lënda narkotike që përpunohej në sera dhe ku ishte çuar droga e përpunuar gjatë një muaji të këtij aktibiteti.

Brenda kapanonit të drogës u gjetën duke pastruar lëndë narkotike 95 gra nga Kamza, Lezha dhe Shkodra të cilat u proceduan në gjendje të lirë.

Për të mos rënë në sy të banorëve të zonës gratë punonin në dy serat e mesit ndërsa serat buzë rruge ishin komplet të zbrazura.

Punëtoret të cilat ishin të moshave të ndryshme deri 75 vjeç kanë thënë se janë punësuar jo në të njëjtën kohë.

Por pjesa më e madhe kishte 20 ditë që punonin. Lënda narkotike e tharë vinte me furgon, punëtorët e pastronin dhe paketonin dhe furgoni e largonte.

Paguheshin 50 mije lekë në ditë dhe rrinin 24 orë në serë ku edhe flinin dhe ushqeheshin.

Në vendin e ngjarjes janë ende të dukshme shenjat që dëshmojnë jetesën e grave për gati një muaj në serë.

Një pjesë e grave ka thënë se janë mashtruar se do mblidhnin ullinj, por e gjetën veten në kapanonin e drogës ku sipas tyre u kërcënuan se do të qëndronin derisa puna të përfundonte por pavarësisht këtyre dëshmive policia nuk ngriti akuzë për heqje të lirisë ndaj organizatorëve.

Top Channel