Thumanë-Kashar, rruga 1.3 mld euro! U ndryshua kontrata “Gener 2” do përfitojë nga rruga me pagesë

10/11/2022 19:37

Në mbledhjen e fundit të 2021, qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi që të rikthejë projektin koncesionar të rrugës Thumanë-Kashar, duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 29 korrik 2021, por pa e sfiduar atë në Gjykatë të Lartë.

Gjykata vendosi që të shfuqizojë urdhrin e datës 25 janar 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës “Për ndërprerjen e dhënies së koncesionit”.

E thënë ndryshe, Apeli detyroi qeverinë të firmoste një kontratë që nuk ekzistonte, por ishte vetëm në fazën e propozimit. Ky vendim i paprecedentë nuk u ankimua në Gjykatën e Lartë, duke ngritur dyshime të forta për favorizim ndaj koncesionarit.

Projekti ka një kosto të parashikuar ndërtimi prej 225.8 milionë eurosh dhe u fitua nga kompania “Gener 2”. Më herët, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kishte njoftuar anulimin e koncesionit, pasi këto para do të shkonin për universitetin.

“Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”, deklaronte Balluku.

Por ky premtim jo vetëm që nuk  u mbajt, por shumë shpejt u zëvendësua me lidhjen e marrëveshjes koncesionare, me kushte akoma më të favorshme për privatin.

Përveç kostove tepër të larta të ndërtimit prej 225.8 milionë euro për 21 km, koncesionari tashmë do të vendos një tra, për faturimin e çdo automjeti që do të kalojë në këtë aks rrugor. Faturimi do bëhet mbi një formulë komplekse ku parashikohet të jetë 2.1 euro për automjetet, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse 6.3 euro dhe për ato me mbi katër akse arrin deri në 9 euro

Në fund të 35 viteve është parashikuar që koncesionari të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe  22.8 milion euro garanci pwr 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.

Ndryshe nga Rruga e Kombit, trau në rrugën Thumanë – Kashar, është rasti i vetëm në rajon ku një rrugë bëhet me pagesë pa pasur një mundësi alternative.

Top Channel