Rikthehen polemikat në Serinë A sa u përket vendimeve të gjyqtarëve, edhe pse në funksion të tyre është sistemi VAR për të shuar çdo dyshim.
Janë dy momente në ndeshjen Verona – Juventus 0-1, ku vendësit pretendojnë që u janë mohuar dy penallti.
Në minutën e 77-të, Danilo e preku dukshëm topin me dorë, por zyrtarët në VAR nuk e sinjalizuan arbitrin Di Bello, i cili u mjaftua me vendimin e tij të momentit, duke vijuar lojën.
Ndoshta në dhomën e VAR-it, lëvizja e krahut të Danilos, i cili ishte gati të mbështetej në tokë, u konsiderua jo e panatyrshme.
Pretendime nga ana e Veronës kishte edhe për ndërhyrjen e Bonuccit ndaj Verdit në minutën e 83-të, por edhe në këtë rast nuk u konsiderua e parregullt.
Klubi verdheblu e ka vijuar protestën për gjykimin edhe në rrjetet sociale, duke postuar një fotot ku duket qartë prekja me dorë e Danilos.
Lakonik në fund të lojës komenti i trajnerit të Veronës, Bocchetti: “Nuk më pëlqen të flas për arbitrat, por kur ka një sërë episodesh si me Monzën dhe sonte duhet të reagojmë. Ata po na dëmtojnë. Duket e qartë krahu aq i hapur. Është çmenduri të mos japësh penallti”./ Super Sport
Top Channel