Me tone kritike e nisi fjalën e tij në parlament, ish ministri i drejtësisë, sot deputet I PS Fatmir Xhafaj. Duke komentuar fjalimet në seancë, Xhafaj u ndal në etiketimet fyese të përdorura nga kolegët në sallë, por edhe kreu I qeverisë një ditë më parë, ndërsa diskutohej buxheti 2023.
“Debati bardhi e zi që po zhvillohet mbi këtë temë të rëndësishme, reflekton një legjislaturë shpërfillëse që paraqitet më e dobët se kurrë në këndvështrimin tim. Fryma e debatit normal, konsensusit politik dhe etikës politike, është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese dhe jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër gjuhën e baltës dhe shpifjes.
Dëshpërimisht, kjo lloj qasje e gabuar është shndërruar në noralitet e instrument i të ashtuquajturës luftë politike.
Në këtë kohë kur kemi realisht një krizë ekonomike të përbotshme, luftë nëpër botë, tensione konflikti, pse jo shkëndija konfrontimi force në Ballkan kjo mungesë përgjegjëshmërie dhe aftësie për të dialoguar qetësisht për çështje kaq madhore jo thjesht nuk e nderon këtë sallë, por e turpëron para popullit dhe kombit.
Ka shumë arsye pse është kaq e vështirë në këtë legjislaturë të bësh debat të këtij niveli, por një gjë është e sigurtë, kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu një nga arsyet kryesore pse ka shifra kaq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshëm që na ndëshkojnë fort, por dhe pse ka kaq shumë pesimizëm, mosbesim e dëshpërim jashtë saj e veçanërisht te të rinjtë dhe pse një pjesë e tyre vazhdojnë të largohen nga vendi.
Ko retotrikë e turpshme ca më keq ka dalë dhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaja, në mediat e botës, ku vendi po shënjohet si simbol i shumë të këqijave. Dëm më të madh nuk mund t’i bëhet imazhit të vendit dhe sidomos mijëra shqitparëve që enden rrugëve të botës për një jetë më të mirë. Ne po u japim ëndrrave të tyre, shpresës dhe jetës një ndëshkim të pamerituar që ata e vuajnë shumë më tepër se në që jemi këtu dhe jemi përfshirë në këtë vorbull ethesh pushteti e marrëzie politike,” theksoi Xhafaj.
Kritikat nuk i kurseu as për buxhetin e vitit 2023, ku ndërsa vlerësoi masat shtrënguese për shkak të efekteve të luftës, Xhafaj theksoi se është absurde që pikërisht në kohë lufte të programohen shpenzime e investime si në kohë paqeje.
“Buxheti i prezantuar duhet pranuar se ka disi risi pozitive. I veçoj këto sepse para se të jetë për të mundurit buxheti duhet të jetë për të pamundurit, edhe pse natyrshëm kuptohet se ky nuk mund të jetë një buxhet si çdo vit normal. Situata ndërkombëtare imponon masa shtrënguese, pasi lufta po jep efekte kudo.
Shqipëria po përballet me inflacionin e luftës. Situata të tilla ekonomike, mund t’i kapërcejmë të gjithë bashkë me më shumë reflektim, përgjegjshmëri dhe para së gjithash me transparencë nga ne si maxhorancë.
Situatat duhet ta bëjnë qeverinë më të përulur me komunikuese me grupet e interesit. Bie dakord me disa masa shtrënguese në buxhet, por është absurde që kur flasim për kohë lufte të programojmë shpenzime e investime si në kohë paqeje, që të ketë kuptim edhe shprehja: Shtri këmbët sa ke jorganin.” -vijoi deputeti i PS.
Fjala e plotë:
I. Debati për buxhetin do duhej të ishte çdo fundviti angazhimi ynë më serioz, obligimi më i rëndësishëm kushtetues, parlamentar e moral që duhet të kemi në përmbushje të zotimeve para qytetarëve. Por siç ndodh kryesisht në politikën tonë të tranzicionit, hendeku zgjerohet përherë e më shumë mes asaj që është dhe se si e debatojmë ne dhe asaj që duhet dhe se si e presin qytetarët.
Ndër vite në këtë sallë kam ndjekur me shumë vëmëndje çdo fjalë të artikuluar nga kolegë dhe ish kolegë e sidomos të njohësve të mirë të fushës, ku megjithë boshllëqet apo shtrembërimet që nuk mungonin, sërish prodhoheshin debate cilësore, ndaheshin opinione profesionale dhe propozoheshin hapësira ligjore ku ekspertët mund të ndërhynin.
Fatkeqësisht, në këto dy ditë po ndodh krejt e kundërta. Debati bardh e zi, që po zhvillohet mbi këtë temë të rëndësishme, reflekton një legjislaturë shpërfillëse që paraqitet më e dobët se kurrë më parë.
Fryma e debatit normal, konsensusit politik dhe etikës politike, tashmë është zvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përcmuese e jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen. Dëshpërimisht kjo lloj qasje e gabuar është shndërruar në normalitet dhe instrument i të ashtuquajturës luftë politike.
Në këto kohë kur kemi realisht një krizë ekonomike të përbotshme, luftë në Europë, tensione konflikti dhe pse jo edhe shkëndija konfrontimi force në Ballkan, kjo mungesë përgjegjshmërie dhe aftësie për të dialoguar qetësisht për cështje kaq madhore jo thjesht nuk e nderon këtë sallë, por e turpëron para popullit e kombit.
Ka shumë arsye përse është kaq e vështirë në këtë legjislaturë të bësh debat të këtij niveli. Po një gjë është e sigurtë. Kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu është një nga arsyet kryesore përse ka shifra aq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshme që na ndëshkojnë fort, por edhe pse ka aq shumë pesimizëm, mosbesim po dhe dëshpërim jashtë saj e veçanërisht tek të rinjtë dhe përse një pjesë e tyre vazhdojnë të largohen nga vendi.
Kjo retorikë e turpshme, ca më keq, ka dalë edhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaja, në mediat e botës ku vendi po shenjohet si simbol i shumë të kqiave. Dëm më të madh nuk mund ti bëhet imazhit të vendit dhe sidomos atyre mijra e mijra shqiptarëve që enden rrugëve të botës për një mundësi jetese më të mirë apo edhe të gjithë atyre që kanë ndërtuar anë e kënd botës një jetë plot mund e sakrifica. Ne me këtë lloj qasje po ju japim ëndrrave, shpresës dhe jetës së tyre një ndëshkim të pamerituar që ata e vuajnë shumë më tepër se ne që jemi këtu dhe jemi përfshirë në këtë vorbull ethesh pushteti dhe marrëzie politike.
II. Buxheti i prezantuar nga qeveria duhet pranuar se ka disa risi pozitive të cilat duhet t’i vlerësojmë dhe përkrahim me votë. Në këndvështrimin tim, është pozitive rritja buxhetore për mbështetjen e Arsimit me rreth 3% të PPB, Shëndetësisë me rreth 3%, Bujqësisë gjithashtu. Ashtu siç është pozitive edhe rritja e parashikuar për dixhitalizimin, një sektor që dita-ditës pavarësisht kostove por dhe për reflektim ndaj problematikave shumë serioze të shfaqura është një domosdoshmëri.
Gjithashtu, është pozitive garancit që jepen përmes këtij buxheti dhe paketës fiskale lidhur me mbajtjen të pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe shumicën e bizneseve të vogla, apo mbështetja për familjet me të ardhura më të ulëta duke rritur pragun e patatueeshëm nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë. Edhe pse e vogël, duhet çmuar pasi nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë të punësuar. Nga ana tjetër duhet të nënvizoj edhe mbështetjen e familjeve me të ardhura më të ulëta duke rritur nivelin e pagës minimale përgjatë vitit 2023 nga 34,000 lekë në 36,000 lekë; si dhe mbështetja e akorduar për familjet dhe individët në nevojë përmes skemës së ndihmës ekonomike apo PAK ku përfitojnë mesatarisht rreth 220 mijë individë në vit. Është gjithashtu shumë pozitive që brenda politikave sociale, si risi për vitin 2023, parashikohen politika mbështetëse për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç etj të tilla.
III. I veçoj këto detaje sepse mendoj që para se të jetë i të mundurve buxheti duhet të mendojë për të pamundurit, edhe pse natyrishëm kuptohet që ky nuk mund të jetë një buxhet si çdo vit normal. Situata ndërkombëtare imponon masa shtrënguese pasi lufta në Ukrainë po efektohet kudo dhe jo më në një ekonomi të brishtë si e jona që mëton të mbijetojë në një vit të pritshëm shumë të vështirë, pas dy viteve po aq të vështirë që kaluam. Shqipëria po përballet pashmangshmërisht me inflacionin e luftës, që ka sjellë rritjen e çmimeve të produkteve, rritje që nuk vjen sepse e vendos qeveria, por kryesisht si pasojë e luftës.
Kjo është e qartë për të gjithë ata që e shohin situatën me sytë e arsyes. Situata të tilla ekonomike mund t’i kapërcejmë me sukses të gjithë bashkë, me më shumë reflektim, përgjegjshmëri dhe parasëgjithash me transparencë nga ne si maxhorancë në mënyrë që qytetarët të ndjejnë siguri dhe të ofrojnë besim ndaj asaj çfarë premtojmë dhe bëjmë.
Situatat aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përulur, shumë më komunikuese me grupet e interesit dhe kryesorja edhe më transparente e të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit në menaxhimin dhe mirëpërdorimin e fondeve buxhetore.
Unë bie shumë dakord me disa masa shtërnguese të përfshira në buxhet, megjthatë është absurde që kur flasim për kohë lufte, të programojmë disa investime dhe shpenzime si në kohë paqeje që të ketë kuptim në këtë rast edhe ajo shprehja e mençur e popullit “Shtrij këmbët sa ke jorganin”.
Kjo edhe për faktin se kambanat e krizës energjitike dëgjohen përherë e më pranë si një pandemi e re ekonomike. Besoj se po punohet shumë për ta menaxhuar situatën e vështirë energjitike, por përtej krizës ne duhet të shohim se si do përfitojmë për të ardhmen që të mos bëjmë të njëjtat gabime. Në këtë pikë, janë pozitive instrumentat e programuara për kanalizimin e ideve inovative drejt energjisë së inovueshme. Gjë shumë e mirë mbështetja e financimeve me fotovoltaiket familjare, por ne duhet ta imponojmë dhe ta lehtësojmë gjithë investimin në këtë fushë me akte vendimmarrëse dhe rregullatore afatgjata e efiçente që nxisin e mbështesin fort investimet private në këtë fushë pasi e vërtet që jemi një vend me burime të pasura hidrike dhe energjie diellore, por që fatkeqësisht shumë pak kemi ditur t’i shfrytëzojmë dhe inkurajojmë sa dhe si duhet në këto 30 vite.
Gjithashtu mendoj se, buxheti edhe në këto kushte shtërngese mund e duhej të ishte shumë më i fokusuar te grupet e interesit apo xhepin e të pamundurit, veçanërisht për pensionistët pa mbështetje shtesë, dhe mbi të gjitha duhet të programojmë më mirë disa politika shumë më incentivuese për rininë si: Kualifikimi teknologjik, mbështetja e bizneseve të reja, shtimi i banesave sociale për çiftet e reja, punësimi i të rinjve, krijimin e lehtësive për bizneset e huaja prodhuese në vend dhe veçanërisht atyre që ofrojnë e garantojnë vende të reja pune etj.
IV. Në fund të fjalës sime, dua të shpreh disa konsiderata lidhur me atë pjesë të buxhetit që lidhet me institucionet e drejtësisë. Natyrisht nuk është se mendoj që ka nevoj për një mbështetje shumë më të fokusuar pasi gjithë këto vite sistemi është financuar dhe jo pak. Jo nga qeveria, por nga qytetarët, nga taksat e tyre pavarësisht se gjithë këto vite është dukur jo rrallë si favor qeveritar apo si qoka e ministrit të rradhës.
Natyrshëm ka nevojë për disa investime të domosdoshme në sistem ashtu sic kërkohet më shumë fokus dhe koordinim per investime te harmonizuara dhe efiçente, por edhe për të analizuar për efektin e shpenzimeve të bëra nga ana e instucioneve të drejtësisë, që buxheti i dhënë të përdoret më me efektivitet prej tyre.
Para se të flasim për më shumë buxhet, sot është koha t’i bëjmë ca hesape me laps e letër pasi qytetarët duhet të marrin fillimisht mbrapsht investimin e taksave të tyre. Njerëzit e drejtësisë duhet të justifikojnë besimin dhe mbështetjen e madhe që ju është dhënë nga qytetarët me rezultate konkrete domethënëse në dhënien e drejtësisë dhe veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit.
E kam thënë dhe dëshiroj ta përsëris edhe më fortë: Me reformën në drejtësi, ka ndryshuar kuadri kushtetues e ligjor, formatimi dhe pozicionimi i institucioneve të reja të drejtësisë në peisazhin e strukturës sonë shtetërore dhe në vet politikat qeverisëse, por për fat të keq nuk ka ndryshuar ose ka ndryshuar shumë pak qasja jonë me sistemin, raporti me të.
Andaj, përherë nuk është vonë për të reflektuar mbi një qasje tjetër me sistemin, pikësëpari nga kjo sallë. Parasëgjithash me retorikën dhe adresimet publike ndaj sistemit në tërësi dhe institucioneve të caktuara në vecanti, por dhe me vet procesin ligjbërës, monitorues e koordinues ndaj tyre, përfshi edhe aspektet që lidhen me programimin e buxhetit dhe mirëpërdorimin e tij.
Top Channel