Blatter bën propozimin e fortë: Të kompensohen viktimat e stadiumeve të Katarit

10/11/2022 21:28

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, deklaroi në një intervistë në televizionin kombëtar zviceran se duhet krijuar një fond kompensimi për të ndihmuar “të gjithë ata që vuajtën” gjatë ndërtimit të stadiumeve për Kupën e Botës 2022 në Katar.

“Shuma totale e fondit duhet të jetë së paku 420 milionë euro, ekuivalente me bonuset që do t’u paguhen 32 skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin që fillon më 20 nëntor,” – tha Blatter në intervistën e transmetuar nga kanali RTS.

OJQ-të dhe mediat kanë argumentuar se deri në 6 500 punëtorë migrantë (veçanërisht nga Azia Jugore) mund të kenë vdekur në kantieret e ndërtimit të stadiumeve gjatë viteve të fundit.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e publikoi këtë shifër vitin e kaluar në një raport, ku theksoi se korrespondonte me të gjithë emigrantët që vdiqën në Katar që nga viti 2010 (vit kur vendi u zgjodh si organizator i “Katar 2022”).

Blatter përsëriti pikëpamjen e tij se fakti që presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, jeton në Katar, “nuk është një simbol i mirë për futbollin”.

Ai gjithashtu këmbënguli, si në intervistat e mëparshme, se zgjedhja në vitin 2010 e Katarit si vend organizator, pavarësisht faktit se kandidatja e preferuar për të ishte SHBA-ja, ishte një “gabim” që, ndër të tjera, ishte për shkak të vota e anëtarëve të UEFA-s, e komanduar nga presidenti i atëhershëm, Michel Platini./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA