50 milionë euro për tre muaj/ SPAK dhe policia spanjolle shkatërrojnë rrjetin e call center-ave në Shqipëri

10/11/2022 19:47

Call center-at që veprojnë edhe në Shqipëri nuk funksionojnë më në formë amatoreske, por sipas llogarive dhe kalkulimeve të krimit të organizuar.

Eurojust, SPAK dhe policia shqiptare ishin njëzëri në këtë përfundim mbas hetimit të përbashkët mes 10 vendeve.

Rezulton se nga 15 call center-a të kontrolluara befasisht, 6 gjendeshin në Shqipëri, 5 në Gjerogji, 3 në Ukrainë dhe 1 në Maqedoninë e Veriut.

Prej këtyre pikave që zhvendoseshin vazhdimisht janë mashtruar qindra qytetarë europianë dhe nga përllogaritja dëmi i shkaktuar nga mashtrimi kompjuterik është gati 50 milionë euro në çdo tre muaj.

Sikurse edhe në aksione të tjera mashtruesit kanë përdorur të njëjtën skemë, atë të telefonatës grackë të kryer nga call center-at, që ftoi qytetarë nga Austria, Gjermania, Spanja dhe Finlanda për të investuar pak e për të fituar në kriptomonedhë.

Në operacionin e zhvilluar në të njëjtën kohë u arrestuan pesë persona. Nga të cilët katër janë në Shqipëri dhe 1 në Gjerogji. Eurojust deklaron se janë sekuestruar 500 pajisje elektronike, dhe më tepër se 340 mijë euro si edhe portofolë kriptomonedhash.

Në kushtet kur shumë lagje janë kthyer në bazën e call center-ave të dyshimtë dhe kur njëherazi policitë italiane dhe spanjolle dhe jo vetëm po bashkëveprojnë me autoritetet e drejtësisë vendase, kreu i SPAK nuk e kurseu apelin.

Megjithatë pavarësisht parasë së zezë që po qarkullon nga aktiviteti call center-ave, të gjitha prokuroritë në vend kanë dështuar këto katër vitet e fundit dhe nuk kanë dorëzuar në gjykatë asnjë dosje dhe asnjë të akuzuar për pastrim parash që vijnë nga ky krim.

Top Channel