Zelensky: Beteja të ashpra po zhvillohen në Ukrainën lindore, forcat ruse pësojnë humbje

09/11/2022 17:18

Mes luftimeve të ashpra në pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “situata është e komplikuar përgjatë gjithë vijës së frontit”.

Në fjalimin e tij të përditshëm me video, presidenti ukrainas deklaroi se “betejat e ashpra vazhdojnë në disa zona dhe situata është veçanërisht e vështirë në rajonin e Donetskut”.

Sipas tij dhjetëra sulme ndodhin çdo ditë në një nivel jashtëzakonisht të lartë dhe se forcat ruse po pësojnë humbje jashtëzakonisht të mëdha.

Në rajonin jugor të Khersonit, Zelensky tha se njësitë ukrainase po vepronin me kujdes,për çlirimin e vendit të tyre.

Në dy rrethe të rajonit të Kharkiv-it, u raportua se më shumë se një mijë familjeve u është rikthyer furnizimi me gaz dhe energji elektrike, ndërsa vijon ende puna për riparimin e objekteve energjetike.

“Që nga kjo mbrëmje, rreth 4 milionë ukrainas në 14 rajone dhe në qytetin e Kievit janë ndërprerë nga furnizimi me energji elektrike. Por shumica e tyre janë nën oraret e ndërprerjes së stabilizimit të energjisë, jo ato emergjente. Kjo duhet të thjeshtojë dhe zvogëlojë koston e furnizimit me gjeneratorë, bateri, transformatorë dhe pajisje të tjera të ngjashme për furnizimin me energji dhe ngrohje në Ukrainë“, tha Zelensky.

Top Channel