Korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës për të cilat po hetohet Alqi Bllako u konsideruan krime të rrezikshme nga gjykata e Posaçme e Apelit dhe për këtë shkak u urdhërua ridërgimi i tij në paraburgim.

Si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, dhe si ish-drejtor i agjencisë së ujësjellës kanalizimeve, Bllako shihet i implikuar në aferën disa milionëshe dhe procedurat koncensionare për inceneratorin e Fierit.

Gjatë këtyre muajve pozitat e ish zyrtarit u rënduan me dy vendime që shpallën arrest me burg dhe një tjetër që i hapi derën e burgut për shkak të tre fëmijëve të mitur. Por karta e atësisë nuk u mor parasysh nga gjykata e Apelit, sa kohë SPAK deklaron se po e dyshon Alqi Bllakon të ketë kryer veprime për të ndikuar tek persona të tjerë.

Ish-deputeti Alqi Bllako këmbënguli se nuk paraqiste rrezikshmëri aq më tepër që sipas tij, e dorëzoi mandatin e deputetit me dëshirë për t’u barazuar me njerëzit e thjeshtë që dalin para gjyqësorit.

Por sidomos për SPAK hetimi për inceneratorin ndaj tij dhe nëntë të tjerëve është më i sigurt nëse Alqi Bllako mbahet në qeli, aty ku sakaq prej dhjetorit 2021 gjendet edhe ish-ministri i mjedisit.

Avokati tha që do i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për rekurs, aty ku më herët janë shqyrtuar edhe kërkesat e të dyshuarve të tjerë.

Top Channel