Policia kufitare e Kapshticës ka sekuestruar 9.2 kg lëndë narkotike e llojit kannabis sativa në një mjet që udhëtonte nga Kapshtica në drejtim të Greqisë.

Nga informacionet paraprake bëhet me dije se është arrestuar drejtuesi i mjetit Sotiraq Çipi, 60 vjeç. Droga u gjet e fshehur në dy prej gomave të mjetit, gjatë kontrollit të policisë në vijën e dytë.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 16 pako të cilat ishin mbështjellë me letër natriban.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, ndërsa bëhet e ditur se lënda narkotike kishte si destinacion Greqinë.

“Faza e 12-të e këtij operacioni, zhvilluar nga Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me DVP Korçë, për parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të trafikimit të lëndëve narkotike, drejt Greqisë. Vihet në pranga transportuesi i lëndës narkotike. Sekuestrohen 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Restart 12”. Si rezultat i tij, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:  S. Ç., 64 vjeç, banues në Korçë. Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin e mësipërm. Si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjet, përfshi edhe procesin e skanimit, në bagazhin e tij, në dy goma rezervë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 pako, me peshë 9.2 kg, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje”, sipas policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë.

Top Channel