Rreth 2000 emigrantë shqiptarë që kanë udhëtuar në mënyrë të jashtëligjshme drejt Anglisë këtë vit pretendojnë se janë minorenë.

Sipas ministrit anglez të imigracionit, Robert Jenrick, një në pesë emigrantë meshkuj që vijnë në vend, pretendojnë se janë në 18 vjeç, me shpresën se në këtë mënyrë do të përfitojnë azil. Fëmijët e pashoqëruar ka më pak mundësi për t’u arrestuar nëse kërkesa për azil u refuzohet.

Në një artikull të “Daily Telegraph”, shkruhet se 10 mijë shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla gjatë vitit 2022, nga 40 mijë emigrantë gjithsej që kanë kaluar kanalin deri më tani.

“Gati 20% e meshkujve që mbërrijnë në qendrën e pritjes në Dover, Western Jet Foil, pretendojnë se janë nën 18 vjeç, por qartazi numri i tyre është më i vogël. Nëse duhet të bëjmë ndryshime të mëtejshme ligjore, do ta bëjmë”, tha Robert Jenrick.

Qeveria shtrëngoi rregullat në fillim të këtij viti, duke i lejuar zyrtarët të kontrollojnë dhe verifikojnë moshën e emigrantëve, nëse pamja apo sjellja e tyre i lë të kuptojnë se janë mbi 18 vjeç.

Të dhënat e Home Office tregojnë se nga 1.696 raste ku mosha e fëmijës emigrant është vënë në pikëpyetje gjatë vitit të kaluar, 1.118 prej tyre ose e thënë ndryshe 66%, u verifikua se ishin mbi 18 vjeç.

Zyrtarët e Home Office ndërkohë janë në një garë me kohën për të gjetur vendqëndrime të përshtatshme dhe akomodim për azil, mes frikës se 10.000 emigrantë të tjerë mund të kalojnë Kanalin në gjashtë javët e ardhshme para Vitit të Ri.

Në qendrën e azilit Manston, e cila merr emigrantët nga Doveri aktualisht ndodhen 1200 refugjatë, nga 1600 që është kapaciteti i qendrës. Javën e kaluar, në Manston u kapërcye çdo limit, kur në këtë qendër ndodheshin 4100 emigrantë.

Burimi: Daily Telegraph

Top Channel