“Bombë” në selinë e SPAK/ Kontrolle për eksploziv në gjithë ndërtesën, në kërkim edhe telefonuesi

08/11/2022 14:58

Pikërisht kur prokurorët e SPAK-ut gjendeshin në një ceremoni antimafia, një person i panjohur telefonoi në polici duke dhënë alarmin për bombë.

Telefonata u krye në orën 11:00 të paradites dhe sipas qytetarit, bëhej fjalë për lëndë plasëse që ishte vendosur në godinën e Prokurorisë së Posaçme.

Në zyrën e godinës së posaçme, gjendeshin gjyqtarët e posaçëm dhe hetuesit e byrosë kombëtare të hetimit.

Pas kontrolleve, policia e Tiranës konfirmoi zyrtarisht se alarmi ishte fals. Në njoftim përmendet se denoncuesi pasi dha alarmin, kishte fikur telefonin. Në tentativë për ta identifikuar, policia shton se i ka kërkuar kompanive të telefonisë celularë që ti vendosin ne dispozicion identitetin e telefonuesit, ndaj të cilit do të ngrihet akuza e kallëzimit të rremë.

Mbetet i paqarte ky alarm i policisë, sa kohë godina e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Antikorrupsion është institucioni më i kontrolluar dhe me kushtet më të forta të sigurisë. Ndërtesa kontrollohet periodikisht çdo mëngjes dhe çdo pasdite.

Nga ana tjetër, burimet i thanë Top Channel se telefonuesi mund të ketë kërkuar ndërhyrjen e uniformave blu mbasi ka ka qenë dëshmitar i një incidenti në afërsi të ndërtesës midis një qytetari të armatosur që u konfliktua për parkimin e një makine. Ky konflikt është raportuar nga agjentët e krimeve pranë komisariatit numër tre.

 

Top Channel