2023 do jetë viti i Sportit për Tiranën. Teksa kryeqyteti është afër mbylljes së vitit si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha sot lajmin e shumëpritur që në 2023-in Tirana do mbajë titullin “Qyteti Evropian i Sportit”.

Veliaj tha se pas një pune të palodhshme, Tirana arriti të fitojë një tjetër titull, që do i japë një fokus të veçantë, këtë herë sportit.

“Sot është një ditë fantastike për Tiranën tonë. Kemi punuar shumë, shumë, shumë për t’ia mbërritur kësaj dite. Patëm një nga kampionatet më të bukura të peshëngritjes në Evropë, kemi kampionë, si Brikeni dhe Erkandi – jam shumë krenar për të gjithë punën që është bërë. Jam shumë krenar që ekipi yne i mundjes, po ashtu edhe Zelimkhan Abakarov, i cili sot eshte Kampion i Botes, ka mundësi të trajnohet në palestrat e mundjes. Komiteti Olimpik Shqiptar është këtu dhe më vjen mirë që, sot me punën e Fidelit dhe skuadrës se tij fantastike, jemi në nivelet më të larta. Për një vend të vogël që ka prodhuar kampionë europë, kampionë bote, kampionë Ballkani, është edhe një kompliment për punën fantastike që ka bërë Komiteti Olimpik. Sot jemi në një situatë ku, me shpërblimet, me mënyrën sesi bashkia dhe ministria punojnë, vërtetë kemi bërë diçka të mrekullueshme. Pas gjithë këtyre punëve, ju e dini që ne jemi përpjekur gjithmonë që ta ngremë lart emrin e Tiranës. Këtë vit ne jemi “Kryeqyteti Europian i Rinisë” – nuk jemi perfektë, por kemi qenë origjinale. Kemi prodhuar një pafundësi aktivitetesh për rininë dhe nuk do të mbarojnë deri në fund të vitit. Por, sot për komunitetin e sportit, kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, një nder të madh dhe një privilegj të papërshkrueshëm, sepse sapo jemi informuar, t’ju them se Tirana është shpallur “Qyteti Evropian i Sportit 2023”, u shpreh Veliaj.

Fjalimi i plotë i kryebashkiakut Erion Veliaj: 

“Faleminderit nga zemra të gjithë sportistëve të Tiranës, nga ata më të vegjlit, deri tek mosha e Sotirit, nga ata që janë këtu në qendër, tek ata që janë në periferi. Sot është një ditë fantastike për Tiranën tonë. Kemi punuar shumë, shumë, shumë për t’ia mbërritur kësaj dite.

Një betejë e jashtëzakonshme për stadiumin, ku pavarësisht kundërshtive, me insistim të kryeministrit dhe gjithë ekipit zbatues, sot kemi një nga stadiumet më të bukura në Europë. Bëmë një betejë të jashtëzakonshme për Parkun Olimpik.

Të gjithë ata që thonë “ky vend s’bëhet, ky vend s’vlen, s’ia vlen që të punojmë”, stërkëmbësha pa lidhje, pengesa, bllokime, sot kemi një park olimpik që siç e konfirmoi edhe Federata e Peshëngritjes, patëm një nga kampionatet më të bukura të peshëngritjes në Europë. Kemi një kampion, kemi sot Brikenin, Erkandin, jam shumë krenar për të gjithë punën që është bërë aty.

Jam shumë krenar që në ato palestrat e mundjes, ku Selim Kani që sot është kampion bote, por edhe gjithë ekipi ynë i mundjes ka mundësi të trajnohet, edhe ka mundësi që të eci përpara. E di që pati shumë debate për të gjithë pistën e atletikës tek liqeni. Të gjithë thanë – “Këtu do bëhen pallate, këtu do bëhen grataçiela”, por Luiza jonë kampione e meriton, edhe gjithë Federata e Atletikës, Gjergji dhe gjithë të tjerët që punojnë përditë e meritojnë një infrastrukturë të tillë moderne në zemër të Tiranës, aty ka oksigjen, aty ku ka gjelbërim dhe aty ku ka kaq shumë dashuri për sportin.

Shoh që kemi superskuadër simpatike nga Special Olympics. Dua t’ju urojmë një mirëseardhje të fortë, sepse ne mendojmë që sporti në fakt duhet t’i përfshijë të gjithë, pavarësisht nga talentet që kemi, pavarësisht nga mundësitë që kemi, jam shumë i lumtur që Speial Olympics është këtu me ne sot.
Jam shumë i lumtur që KOKSH-i është këtu, Komiteti Olimpik Shqiptar. Një organizatë deri dje e fjetur, deri dje e lodhur, deri dje që nuk zgjohej dot, që nuk mbante dot ritmin, se po shoh Izmirin që po qesh atje në fund, po qesh për të konfirmuar.

Më vjen mirë që sot me punën e Fidelit dhe me punën e gjithë skuadrës fantastike të Komitetit Olimpik Shqiptar, sot shumica e sporteve, përjashto disa problematike, por shumica e sporteve që janë pjesë e komiteti olimpik, janë në nivelet më të larta. Dhe për një vend të vogël që ka prodhuar kampionë urope, kampionë bote, kampionë Ballkani, është edhe një kompliment për punën fantastike që ka bërë komiteti olimpik.

Më vjen mirë sot që jo vetëm se kemi një kryeministër sportist, por më vjen mirë që të gjitha, se kemi edhe një ekip të dedikuar të sportit, si Endri me shokë, bashkë me Evisin në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit, sot jemi në një situatë ku me shpërblimet, ku me mënyrën sesi bashkia dhe ministria punojnë, vërtetë, vërtetë kemi bërë diçka të mrekullueshme.

Sot jam shumë krenar për Deborën dhe gjithë Sport Klub Tiranën. Sport Kulb Tiranën, Sport Klub Studentin, Sport Klub Partizanin, Dinamon, ku një pjesë e madhe përveç futbollit janë brenda Bashkisë së Tiranës.

Ajo që është më e rëndësishme, në 7 vjet, pika në qytet ku janë hapur palestrat për shoqatat sportive, volejboll, basketboll, xhudo, taekwondo, sporte nga më të ndryshmet, ia kemi kthyer komunitetit si vende të sigurta, si vende të hapura, si vende ku fëmijët në vend që shkojnë në rrugë, a po të shkojnë lokaleve, apo të marrin rrugët, sot në Tiranë kanë 70 e ca vatra të tilla.

Mbas gjithë këtyre punëve, ju e dini që ne jemi përpjekur gjithmonë që ta ngremë lart emrin e Tiranës, ky shesh ku jemi këtu, sheshi “Skënderbej”, në 2018-ën çmimin si hapësira publike më e bukur në Europë. Në 2020-ën, ishte në fakt “Pazari i Ri” që gjithashtu mori një çmim si hapësira më e bukur nga të gjitha tregjet që ishin investuar dhe nga gjithë mënyrat sesi është punuar në pjesën e Europës Juglindore.

Këtë vit ne jemi “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, nuk jemi perfektë, por kemi qenë autentikë. Kemi prodhuar një pafundësi aktivitetesh për rininë dhe nuk do të mbarojnë deri në fund të vitit.
Por sot, sot, për komunitetin e sportit, kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, një nder të madh dhe një privilegj të papërshkrueshëm, sepse sapo jemi informuar që Tirana do jetë “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2023”.

Top Channel