Kryeredaktori i Top Channel, Altin Kreka i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” tha se tendenca e shqiptarëve për t’u larguar drejt Britanisë së Madhe, i ka rrënjët në Shqipëri.
Sipas tij, varfëria, mungesa e kushteve minimale të jetesës i detyron të rinjtë të shkojnë drejt një vendi tjetër.
Kreka mori shembullin e Kukësit, një prej qyteteve që po përballet me largimin e banorëve të saj, ku shkollat janë bosh, pasi adoleshentët kanë tendencën të shkojnë drejt Britanisë në mënyrë të jashtëligjshme.
“Ka njerëz të mirë, por ka kriminalitet shqiptar në Britaninë e Madhe, ne raportojmë, dëgjojmë, shikojmë raste të shumta të adoleshentëve që biletën për të shkuar drejt Britanisë ua paguajnë pronarët e shtëpive të barit dhe ata këtë borxh e kthejnë duke punuar në shtëpi bari. Kjo është një pjesë ulëritëse që anglezët e vërejnë shumë, nuk del (në media) kur zotëria u shpërndan rrogën anglezëve, por kapja e shqiptarëve në shtëpi bari. Adoleshentët duan të ikin, kemi shkuar në Kukës dhe shkollat janë bosh. Nga varfëria, nga mungesa e shkollës, diferenca shumë e madhe kur shohin jashtë një lloj tjetër jete, shërbimi shëndetësor. Rrënja e këtij problemi është këtu, çdo gjë është ekonomi thuaj sa të duash atdheu, jo është ekonomia, kjo gjë u mungon, pas 2010-ës të rinjtë kanë mundësi shumë të shkojnë në Evropë”, tha Kreka.
Kujtojmë se largimi i shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe ka sjellë përplasjen e dy qeverive.
Disa ditë më parë, Braverman u shpreh se se shumë shqiptarë pretendojnë për azil ‘të rremë’ në Britani, pavarësisht se paguajnë mijëra për të mbërritur në tokën angleze.
Ajo tha se abuzimi ‘duhet të ndalet’ dhe se Mbretëria e Bashkuar dhe francezët do të punojnë më ngushtë për të trajtuar migracionin e paligjshëm.
Ardhjen e emigrantëve drejt Britanisë, ministrja e quajti një “pushtim” të vendit të saj, ndërsa u kritikua nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se shqiptarët në Britani nuk janë me miliona, por 140 mijë.
Krahas fushatës mediatike dhe politike kundër shqiptarëve dhe përse ata vijnë në Britani, një pyetje që po ngrihet gjithnjë e më shumë në median angleze është se a po përdoren shqiptarët e ardhur si “kokë turku” për dështimin e konservatorëve, që pas 12 vjetësh në pushtet, tani deklarojnë se sistemi i emigracionit është shkërmoqur dhe ka dështuar.
Kryeministri i ri britanik, Rishi Sunak i ka kërkuar Braverman që të nënshkruajë marrëveshjen më të madhe ndonjëherë me francezët për emigrantët e paligjshëm, sipas shkruan Daily Mail.
Ndërkohë, pritet që kryeministri britanik, Rishi Sunak të takojë presidentin francez Emmanuel Macron në samitin e klimës në Egjipt për të sqaruar detajet e marrëveshjes.
Top Channel