SHBA, thirrje në tubime për të votuar sipas besimit të krishterë

05/11/2022 18:42

Laura Brown udhëtoi për mbi 1800 kilometra nga qyteti Gulfport, Misisipi, për të marrë pjesë në turin për “Rizgjimin e Amerikës”, në Manheim të Pensilvanisë.

Ajo solli me vete një shofar, një instrument muzikor që përdoret në ceremonitë fetare hebraike. Por, ky nuk ishte një aktivitet hebre. Ajo e afroi tek goja bririn e gjatë dhe të përdredhur, mori frymë thellë dhe fryu për të sinjalizuar fillimin e ditës së dytë të tubimit të republikanëve të krishterë, kryesisht të bardhë, që përbëjnë pjesën kryesore të lëvizjes së nacionalizmit të krishterë në Shtetet e Bashkuara.

Rreth 5 mijë persona mbushën vendet në kompleksin sportiv gjatë dy ditë fjalimesh nga folës konservatorë. Shumica predikuan rikthimin e vendit tek krishtërimi nëpërmjet votimit për kandidatë që përqafojnë politikat e krishtera. Të tjerë folën kundër masave të detyrueshme për COVID-19, ngritën pikëpyetje mbi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, apo morën në mbrojtje sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke dalë në mbështetje të librave të botuara, filmave, regjistrimeve audiofonike apo edhe programeve të siguracionit shëndetësor privat. Vëmendjen kryesore e tërhoqi gjenerali në pension Michael Flynn, i cili u paraqit si “gjenerali i Amerikës” dhe u prit si një yll filmash, duke dhënë autografë dhe duke nënshkruar librin e tij, si dhe duke paraqitur folësit e tjerë.

Zoti Flynn u detyrua të dalë në pension nga ushtria në vitin 2014. Tre vite më vonë ai u bë këshilltar i sigurisë kombëtare për ish-Presidentin Donald Trump. Ai dha dorëheqjen vetëm 22 ditë më vonë, duke u bërë kështu këshilltari i sigurisë kombëtare që shërbeu më pak në detyrë, si dhe pranoi në vazhdim fajësinë se gënjeu FBI-në për bisedat e tij me ambasadorin rus, një vepër penale për të cilën u fal nga ish-Presidenti Trump.

‘Të frikësuar nga vetë qeveria e tyre’

Ndërsa janë shitur paraprakisht të gjitha biletat për të 43 tubimet e tij, zoti Flynn i tha Zërit të Amerikës se çfarë dëshirojnë pjesëmarrësit. “Njerëzit janë të frikësuar nga vetë qeveria e tyre”, tha ai. “Po shikojnë se çfarë mund të bëjnë”.

Folësit u ofrojnë atyre një ide kryesore: të votojnë. Dhe duhet të votojnë për republikanë që besojnë në Zot. Një predikues i zjarrtë afrikano-amerikan u ngjit në podium i veshur me kostum blu, këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe një shami të vendosur në xhepin e sipërm të xhaketës. Pastori Mark Burns, i paraqitur si “Pastori i Donald Trump-it”, e ngriti turmën në këmbë kur tha: “A jeni gati të shkoni në luftë për Zotin tonë, Jezu Krishtin? Bërtisni “poooo”! Jam këtu për t’i shpallur luftë çdo demokrati të peshkuar nga temat racore dhe çdo skeme të ligë që vjen nga portat e ferrit”.

Për sa i përket Presidentit Biden, “atë duhet ta heqim që tani”, tha zoti Burns. “Unë jam një nacionalist i krishterë krenar… A ka nacionalistë të tjerë të krishterë këtu?”. Deklarata e tij u prit me një reagim të fortë mbështetës.

Pasi zbriti nga skena, ai iu afrua kameras së Zërit të Amerikës, i mbuluar në djersë nga fjalimi i tij emocional dhe energjik. “Është qesharake kur njerëzit thonë se nuk duhet predikuar besimi nga podiumi”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Lufta revolucionare u udhëhoq nga pastorët”.

Zotimi për të predikuar në politikë

Në skenë u ngjit një pastor shtatlartë, me ton të qetë dhe flokët e zbardhur. Pastori Bill Cook, nga Regjimenti i Rrobave të Zeza të Amerikës, i thirri të gjithë pastorët në skenë për të bërë “Betimin e Gideonit”. Bashkëshortja e tij iu bashkua për të mbajtur në skenë një tabelë me gjashtë elementë. Numri 2 ishte premtimi “për të predikuar minimalisht njëherë përpara çdo procesi zgjedhor”. Numri 4 ishte betimi për të predikuar se “votimi në çdo palë zgjedhje për kandidatët më besimtarë është një detyrë e shenjtë për çdo person që deklaron besimin tek Jezu Krishti”.

Pjesë të “Betimit të Gideonit” duket se janë në kundërshti me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane që sanksionon “ndarjen e kishës nga shteti”. Përtej kësaj, kishat klasifikohen si grupe jofitimprurëse që përjashtohen nga taksat dhe të cilave u ndalohet angazhimi në aktivitet politik.

Stephanie Robbins punoi për 10 vjet me agjencinë federale të taksave IRS, dhe tashmë punon në firmën ligjore Harmon Curran, e specializuar për legjislacionin tatimor dhe atë zgjedhor.

Shkelja e kufirit për foltoret

Kur Zëri i Amerikës e informoi zonjën Robbins për “Betimin e Gideonit”, ajo tha se diku do ta “kalojë vijën në një moment” dhe shpjegoi arsyet përse ekziston ligji. “Është një e drejtë e shprehjes për të cilën qeveria ka vendosur të mos e subvencionojë”, tha zonja Robins, duke vënë në dukje se organizatat jofitimprurëse përfitojnë nga programe të posaçme për ulje nga taksat. “Prandaj është e rëndësishme që të mos flasin për këtë nga foltorja”.

Zoti Flynn i tha Zërit të Amerikës se ai nuk e interpreton në këtë mënyrë Amendamentin e Parë. “Do të thotë liri e besimit, jo e krishtërimit apo judaizmit; është liri e ndërgjegjes, të kesh lirinë për të besuar atë që dëshiron të besosh”, tha ai.

Pastorët thonë se ata nuk mbështesin kandidatë të caktuar. Por, kur i udhëzojnë besimtarët që të votojnë për kandidatin e krishterë, thotë zonja Robbins, në disa raste kjo identifikohet me një kandidat.

Zoti Cook tha se “nocioni i ndarjes siç paraqitet sot” do të ishte kundërshtuar me forcë nga themeluesit e kombit pasi “anëtarët e Kongresit e kuptonin se kisha e themeloi realisht Amerikën, dhe se pastorët ishin etërit themelues dhe ata do të kishin filluar një revolucion tjetër”.

Kur u pyet për përjashtimin e besimeve të tjera, zoti Flynn tha se “ekzistojnë gjithëfarë lloj besimesh këtu”, por vuri në dukje se krishtërimi është “besimi më i madh në vend”.

Sipas anketimeve, të krishterët përbëjnë rreth 64% të popullsisë amerikane, por një studim i fundit i kompanisë Pew Research tregon se nëse vazhdon rënia e tanishme, të krishterët mund të bien nën nivelin 50% në 50 vitet e ardhshme.

Një tjetër studim i organizatës Pew tregon se 45% e të anketuarve mendojnë se Amerika duhet të jetë një vend i krishterë.

Por, 77% nuk mendojnë se kishat duhet të mbështesin kandidatët politikë.

Ndërkohë, një studim i FiveThirtyEight tregon se 58% mendojnë se qeveria duhet të zbatojë ndarjen e kishës nga shteti.

Të krishterët kundër të krishterëve

Në zyrat e Komiteti të Përbashkët Baptist për Lirinë Fetare, dy gra janë ulur në një tryezë të rrumbullakët, me kufjet dhe mikrofonët vënë dhe më kompjuterët e lëvizshëm hapur.

“Mirësevini në të Respektosh fenë”, tha në hyrje drejtorja ekzekutive Amanda Tyler taksa nisi podkastin e përjavshëm. Ajo e cilëson nacionalizmin e krishterë një “ideologji të dëmshmë dhe të rrezikshme”, pavarësisht besimit fetar dhe kujtoi një shprehje të zotit Flynn se “për një komb ka një Zot dhe një fe”, si një provë e thirrjeve të tij për teokracinë e një feje të vetme që mbështetet nga shteti. (teokraci: formë qeverisjeje, në të cilën është përqendruar në duart e klerit edhe pushteti fetar edhe politik).

Zonja Tyler tha se ajo që nënkupton kjo shprehje e zotit Flynn është se “ që të jesh amerikan duhet të jesh i krishterë, të jesh i bardhë dhe të mbështetësh disa qendrime politike që mund të jenë të rrezikshme për disa njerës , sepse mund t’i hapin udhë krijimit të shtresës së ulët”.

Zonja Tayler dhe zonja Hollman kanë krijuar grupin “Të krishterët kundër nacionalizmit të krishtere” sepse e shohin lëvizjen “Rizgjimi i Amerikës” si një lëvizje që me retorikën e saj nxit dhunën politike. Gratë kanë organizuar kundër tubime në qytetet që ka zhvilluar ture lëvizja “Rizgjimi i Amerikës”.

Disa ditë më parë, u zhvillua një diskutim i gjerë në univeristetin “Georgetown” mbi “Rrezikun ndaj demokracisë nga Nacionalizmi i Krishterëve të bardhë”.

I Përndershmi Michael Curry, Ipeshkv i Kishës Episkopale i tha Zërit të Amerikës se “gjatë shërbimit të tij si pastor për 40 vjet asnjëherë nuk ka predikuar se për kë duhet votuar sepse nuk është puna e tij”.

Në mënyrë që të dalloheni nga QAnon

Turi “Rizgjimi i Amerikës” është kritikuar se po tërheq si magnet grupet ekstreme të krahut të djathë. Kur Zëri i Amerikës mori biletat për të ndjekur këtë ngjarje si media, në bileta thuhej se ishin për të ndjekur, “Fresh Roasted Coffee Fest & Expo.”

Një zyrtare e turit arsyetoi se bileta vinte në këtë formë në mënyrë që leximi kompjuterik të dallojë se nuk jeni QAnon.

QAnon është një grup politik konspirativ i krahut të djathtë. Përmes një podcasti i cili ndiqet gjerësisht nga anëtarët e këtij grupi u shpërndanë bileta falas për të marrrë pjesë në turin “Ringjarja e Amerikës” në Pensilvani./VOA

Top Channel