Guterres bën thirrje për marrëveshje klimatike midis vendeve të pasura dhe të varfra, ndryshe do ketë ndëshkime

05/11/2022 09:36

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, foli përpara samitit COP27 në Egjipt, mes zhgënjimit në rritje midis vendeve më të varfra që kontribuojnë në emetimet, por vuajnë më shumë nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Vendet e pasura duhet të nënshkruajnë një pakt me vendet e varfra për klimën ose “do të ndëshkohen”, ky është paralajmërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Duke folur përpara samitit të klimës COP27 në Egjipt, Guterres tha se vendet më të pasura duhet të ndihmojnë ekonomitë në zhvillim për të përshpejtuar kalimin e tyre drejt energjisë së rinovueshme.

“COP27 duhet të jetë vendi për të mbyllur hendekun e ambicies, hendekun e besueshmërisë dhe hendekun e solidaritetit. Ajo duhet të na kthejë në rrugën e duhur për uljen e emetimeve, rritjen e elasticitetit dhe përshtatjes klimatike, mbajtjen e premtimit për financimin e klimës dhe adresimin e humbjeve dhe dëmeve nga ndryshimet klimatike”, tha ai.

Vendet e pasura kanë emetuar më shumë se pjesa e tyre e dioksidit të karbonit që kap nxehtësinë nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Ndërkohë, vendet më të varfra si Pakistani, ku përmbytjet e fundit prekën 33 milionë njerëz, kanë pësuar më shumë dëme sesa pjesa e tyre e emetimeve të karbonit.

Pas COP26 të vitit të kaluar në Glasgow, Programi i Mjedisit i OKB-së vlerësoi se vendeve në zhvillim u duheshin 70 miliardë dollarë në vit për përshtatje, një shifër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2030.

Vendet më të varfra përsëri kërkuan ndihmë financiare nga vendet e zhvilluara, me një fond mbështetës për t’i kompensuar ata për dëmet e pariparueshme të lidhura me klimën.

Top Channel