“Nuk jemi gangsterë”, biznesmenët shqiptarë në Londër: Qeveria britanike na ktheu në “kokë turku” që të justifikojë politikën e dështuar të emigracionit

04/11/2022 10:48
Biznesmeni shqiptar në Londër, Ervis Abdullaj

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe akuzuan sot qeverinë se i ka bërë ata ‘kokë turku’ për politikën e dështuar të emigracionit të Britanisë.

Ata thanë për Daily Mail se ishin larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani për të punuar shumë dhe për të paguar taksat e tyre, ndërsa këmbëngulnin se nuk pretendonin përfitime dhe nuk ishin “gangsterë apo hajdutë”.

Duke folur jashtë një kafeneje në veri të Londrës , shqiptarët pohuan se ishin viktima të racizmit të hapur dhe po shënjestroheshin qëllimisht nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga trajtimi i dobët i situatës të kalimit të jashtëligjshëm të emigrantëve me gomone.

Ervis Abdullaj, 39 vjeç, pronari i një bari dhe një nga rreth 150,000 shqiptarë që jetojnë në Britani tha: Shqiptarët po vijnë këtu për një jetë më të mirë. Çfarë nuk shkon me këtë? Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Shqipëria është një vend i bukur, por ka shumë korrupsion dhe dhunë atje. Shumë shqiptarë po ikin nga kushtet e tmerrshme dhe jeta e tyre është në rrezik. Mund të mos ketë luftë atje, por nuk është një vend i sigurt.

Abdullaj, i cili erdhi në Britani në vitin 2014 përmes kanaleve zyrtare tha: Unë nuk kalova ilegalisht me një varkë dhe kam bërë një jetë të mirë në Britani. Por nëse njerëzit janë të dëshpëruar për të ardhur këtu kështu, atëherë duhet të ketë një arsye.

“Unë punoj pothuajse 18 orë në ditë dhe si shumë shqiptarë në Britaninë e Madhe dua të kem një jetë të mirë. Qeveria britanike thjesht po përpiqet të na fajësojë ne për problemet e saj. Nuk është faji ynë që nuk mund të bashkohet (qeveria)  dhe të bëjë diçka për krizën e emigrantëve. Kështu që është më e lehtë t’i lidhësh të gjitha me shqiptarët.

Bandat shqiptare në Britaninë e Madhe janë akuzuar për trafikun e njerëzve dhe kontrollin e pjesëve të mëdha të tregjeve të marijuanës dhe kokainës në vend.

Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi, këmbënguli: A jemi ne i vetmi komunitet në MB që përfshihemi në kriminalitet dhe tregti droge? Unë nuk mendoj kështu. 

“Kam 25 vjet që jam në Britani dhe nuk e di pse tani fajësohen shqiptarët për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël në Mbretërinë e Bashkuar, por aktualisht jemi duke u fajësuar për të gjitha problemet e mëdha. Është racizëm për mendimin tim sepse është më e lehtë për qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësi.”

Ndërtuesi Ermond Dena, 50 vjeç, i cili ka qenë në Britani për 10 vitet e fundit shtoi: Shumë komunitete kanë kriminelë dhe tregtarë droge. Pse të fokusohemi vetëm te Shqipëria? Kam vënë re një rritje të numrit të shqiptarëve që vijnë në MB gjatë muajve të fundit, por ka pasur edhe njerëz që kanë ardhur nga vende të tjera.

Ermond Dena

Shumica e pronarëve të kafeneve të shqiptarëve të Hendonit kanë qenë në Britani të Madhe për pesë vjet ose më shumë dhe pak e pranuan se kishin ardhur ilegalisht me gomone.

Por Esadi, 24 vjeç, i cili donte të jepte vetëm emrin e tij dhe nuk donte të fotografohej, pranoi: Erdha vitin e kaluar me një varkë. Pagova një bandë në Shqipëri dhe ata bënë të gjitha procedurat.

“Shumë njerëz duan të vijnë sepse jeta në Shqipëri nuk është e lehtë. Është e vështirë të gjesh një punë dhe nëse e ke një të tillë, je me fat që të fitosh 200 £ në muaj. Unë jam duke pritur që të shqyrtohet kërkesa ime e azilit dhe jeta nuk është e lehtë në Londër, por është më mirë se të jem në Shqipëri.”

Shoku i tij, i cili nuk donte të përmendej, shtoi: Kam paguar rreth 5000 £, që janë shumë para në Shqipëri. Në Francë ka shqiptarë që kujdesen që të hipësh në varkë. Është e rrezikshme, por ia vlen.

Mond Reci

Ndërtuesi Modi Reci, 42 vjeç tha: Shumica prej nesh këtu nuk kanë ardhur ilegalisht me varka. Ka nga ata që janë përfshirë në veprimtari kriminale si tregtia e drogës, por është kot të thuash se të gjithë shqiptarët janë kriminelë.

“Njerëzit po vijnë këtu nga e gjithë bota, kështu që pse të na zgjidhni ne shqiptarët?”

Edi Terziu, 37 vjeç, një ndërtues, me origjinë nga Elbasani, tha për MailOnline: Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për punë. Kam ardhur 15 vjet më parë dhe tani është shtëpia ime. Unë kam një grua dhe dy fëmijë, djali im më i vogël ka lindur këtu.

“Nuk ka punë në Shqipëri. Kështu që erdha në Londër. Ishte e vështirë të filloja sepse nuk e dija gjuhën. Por kam punuar shumë dhe tani është shtëpia ime. Ne nuk jemi kriminelë, nuk jemi gangsterë. Ne nuk kërkojmë përfitime. Ne punojmë për paratë tona.”

Eduard Balla, 31 vjeç, tha për MailOnline: Unë jam murator. Unë nuk shes drogë, nuk kam armë. Unë nuk jam kriminel. Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet për të gjetur një jetë më të mirë.

“Në Londër mund të fitoj deri në 1000 £ në javë. Në Shqipëri nëse je me fat fiton 100 £ në javë. Kështu që unë kam ardhur në Britani për një jetë më të mirë. Është si një ëndërr për shqiptarët të vijnë në Londër. Ne e dimë nëse punojmë shumë, mund të fitojmë para dhe të jetojmë mirë.”

Kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi Sekretaren e Brendshme Suella Braverman për ‘nxitjen e ksenofobisë’ që e cilësoi ardhjen e shqiptarëve në Britaninë e Madhe me varka të vogla si ‘pushtim’.

Shqiptarë të tjerë treguan se si u ishte dhënë statusi i refugjatit në Britani pasi u larguan nga atdheu i tyre nga frika e jetës.

Flamur Alla, 50 vjeç, një ndërtues, tha për MailOnline: Unë jam shqiptar nga Kosova. Kam ardhur si refugjat në vitin 1999 për shkak të luftës me Serbinë.

“Tani jeta ime është në Britani. Tre fëmijët e mi tani janë të gjithë të rritur. Kam shqiptarë që punojnë për mua në vende në të gjithë Londrën. Ata të gjithë punojnë shumë. Ata nuk kërkojnë asgjë për asgjë”, tha ai.

Top Channel