33.5 kilogramë kokainë në portin e Durrësit! Arrestohet administratori i kompanisë së bananeve, në kërkim presidenti Trifon Murataj

04/11/2022 09:35

Administratori i kompanisë “BanaKing” që kishte porositur ngarkesën me banane ku u gjetën 33.5 kilogramë kokainë një ditë më parë në portin e Durrësit, Petrit Demishaj është vënë në pranga.

Në kërkim është shpallur dhe presidenti i kësaj kompanie, 53-vjeçari Trifon Murataj. Gazetarja Vali Qyrfyçi raporton se nga sistemi TIMS, rezulton se ai ndodhet brenda vendit, por nuk është paraqitur në polici pasi ka mësuar se është shpallur në kërkim.

Kjo është hera e tretë që në kontejnerët me banane të kësaj kompanie kapet lëndë narkotike. Pas 2 rasteve të para, Murataj ka deklaruar publikisht se do të ishte i gatshëm nëse do të thirrej për të deponuar nga policia.

Ndërkohë, janë arrestuar dhe dy punëtorët e portit të Durrësit, Alban Naziraj, 48 vjeç, me detyrë operator skaneri dhe Artur Sevdaraj, 48 vjeç, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për“Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Falsfikim kompjuterik”.

Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë pasi të enjten, në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori u gjetën 31 pako të mbushura me kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.

Në operacionin policor të koduar “Again”, “shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontejner me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxorri të pastër ngarkesën me banane“, njofton policia.

Top Channel