Punonjësit e policisë së shtetit prej më shumë se 10 muajsh nuk marrin dietat që nënkupton pagesat për shërbimet e kryera jashtë rrethit ku jetojnë.

Top Channel ka intervistuar një punonjës të një njësie elit në policinë e shtetit i cili tregon situatën në kushtet e anonimatit.

Polici: Për orët shtesë paguhemi por dietat kemi mbi 10 muaj që nuk i marrim…

-Çfarë janë dietat?

Polici: Pagesat që marrim kur bëjmë punë jashtë rrethit. I paguajmë nga xhepi ushqimin dhe hotelin kur shkojmë me shërbim. Varion nga 20 deri në 50 mijë lek dita.

Duke qenë se paga e një inspektori të thjeshtë është rreth 500 mijë lekë kostot e shtuara për kryerjen e punës i vështirësojnë jetesën. Puna vështirësohet edhe më shumë për shkak të ngarkesës së krijuar nga largimi i shumë punonjësve të policisë.

Polici: Në këto 2 muaj kanë ikur 6 shokë të mi e kanë lënë policinë. Kryesore për ikjet është pagesa. 

Zhgënjimet e përjetuara në më shumë se 10 vite karrierë e kanë detyruar punonjësin e policisë elitë të mendojë largimin

Polici: E kam pasur pasion punën, por nga zhgënjimet më është zbehur dhe po mendoj seriozisht largimin nga policia. Paga e ulët, mosmarrja e dietave dhe vendosja e lekëve nga xhepi ta zbeh dëshirën. Edhe urdhërat që tejkalojnë kompetencat janë një arsye. Në polici po nuk pate mikun nuk bën karrierë. Kam konkuruar kam fituar e më kanë spostuar. 

Top Channel