Si u dhunua e moshuara në azilin e Pejës, rrahja u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale

02/11/2022 19:50

Një e moshuar rezidente në Shtëpinë e Pleqve në Pejë është dhunuar fizikisht nga punonjëset e institucionit.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, njëra nga punonjëset shihet tek e godet të moshuarën në mënyrë të vazhdueshme, teksa kjo e fundit mundohet të rezistojë.

Punonjësja Aurona Pelaj, vazhdon me dhunën madje duke u mburrur me faktin që di të bëjë edhe më shumë para dy punonjësve të tjera.

Për ngjarjen që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Policia e Kosovës ka arrestuar Aurona Pelajn dhe shefen e punonjësve në Shtëpinë e Pleqve “Orenda”, për veprën penale ‘Sulmi’ dhe veprën penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi. Të dy punonjëset janë në mbajtje për 48 orë.

Rasti është raportuar nga palë të treta, meqë asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje nuk e kanë njoftuar udhëheqësinë e institucionit e as Policinë e Kosovës.

Azili për të moshuarit ka njoftuar se ka pezulluar nga puna Aurona Pelajn bashkë me tre punonjëse të tjera që kanë qenë në ndërrim dhe nuk e kanë raportuar rastin.

Ndërkaq, ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët e kanë dënuar rastin dhe shtojnë se video e publikuar tregon se personat në fjalë kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe se ka elemente të “torturës”.

Rezidenca për të Moshuarit “Orenda” në Pejë është institucion privat që si shërbime ofron akomodimin dhe përkujdesjen ndaj të moshuarve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA