Banorë të fshatit Orizaj, të Njësisë Administrative Otllak, të Beratit ankohen në Fiks Fare se ende nuk janë kompensuar për tokën që u është marrë në zgjerimin e rrugës nacionale Lushnjë-Berat. 

Prej vitit 2015, tokat e tyre në pronësi si rrjedhojë e zgjerimit të rrugës iu morën nga shteti por ende sot në 2022 ata nuk janë  janë kompensuar nga ARRSH. Madje edhe pse nuk e zotërojnë më tokën vazhdojnë të paguajnë taksën e saj.

Aktualisht me ndryshimet që ka pësuar ligji ARRSH kërkon plotësimin e dokumentacionit për kompensim në bazë të ligjit nr 11 të datës 12.2.2020, por që sipas këtyre banorëve shkresat që duhet të paraqesin janë të shumta. Madje ka nga ata që thonë “për të plotësuar këto dokumente, shuma që duhet të paguajmë është më e madhe se ajo që do marrim”. Ndërsa ka edhe nga ata banorë që shprehen se meqë rruga është shtrirë në tokë të tyre, nuk u mbetet tjetër veçse të dalin të vënë një tra e të marrin taksë për përdorimin e saj.

Fiksi u interesua edhe pranë kadastrës së Njësisë Administrative Otllak, ku specialisti Myslym Çifliku shpjegon se ARRSH-ja ka nxjerr si preteks që ata banorë që kanë vetëm tapin e tokës të pajisur nga ligji 7501 duhet të pajisen me Certifikatë Pronësie.  Por kompensimi nuk është bërë as për banorët që e zotërojnë certifikatën dhe në total janë rreth 119 të tillë nga tre fshatra dhe 33 nga  fusha e aviacionit. ” Tani duhet dhe rifreskim kartele dhe kjo shkon 1000 leke. Në bazë të ligjit ata duhet të plotësojnë një seri dokumentacionesh që të përfitojnë këto pagesa” shprehet specialisti. Ndërkohë që i numëron arrin gati në 10 dokumente që secili banor duhet të plotësojë për t’u kompensuar.  Pasi bëhet plotësimi i dokumentacionit ish pronarët e tokës duhet të bëjnë kërkesë pranë ARRSH-së për të marrë lekët.  Por sipas banorëve dhe vetë specialistit kjo është një lloj sorollatje, pasi këto prona janë të konfirmuara në Kadastër që u përkasin këtyre banorëve. I pyetur nga Fiksi sesa kohë do u merrte plotësimi i dokumentacionit këtyre ish pronarëve, specialisti pohon një javë kohë.  Kohë të cilën banorët u duket e çuar dëm pasi pasuritë e tyre janë të konfirmuara vetëm mjafton t’u jepen lekët.

Projekti për zgjerimin e rrugës nacionale Lushnjë-Berat filloi në vitin 2015.  Në po atë vit qeveria nxorri vendimin nr 144 për shpronësimin e të gjithave pronave ku kalonte loti i parë i dytë dhe i tretë i segmentit rrugor. Në pikën e dytë të kësaj VKM përcaktohet qartë se shpronësimi do të bëhej për llogari të ARRSH-së.

Gjithashtu pika 7 e kësaj VKM-je urdhëron Autoritetin Rrugor Shqiptar që të likuidojë  pronarët të cilët  kanë emrin përbri tyre  në tabelën shoqëruese shënimin “ konfirmuar prona nga ZRPP-ja, pasi të dorëzohen dokumentet përkatës.

Kjo VKM ka bashkëlidhur listat me emrat e pronarëve të tokave ku kalonte rruga që po ndërtonte ARRSH-ja, sipërfaqet, të konfirmuara emër për emër nga ZRPP -ja.

Shuma  e vënë në dispozicion nga qeveria për shpronësimin e këtyre pronarëve është 95 193 711 lekë ,por kanë kaluar tashmë 7 vjet dhe asnjë nuk ka marrë paratë që iu takojnë.

 

 

FOTO GALERI
1/7

Top Channel