Policia ne veriun me shumicë serbe të Kosovës sfidon vendimin e Prishtinës zyrtare duke refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë për shpërndarjen e të ashtuquajturave fleta qortimi për shoferët që mbajnë targat e lëshuara nga Serbia, të konsideruara të paligjshme nga autoritetet kosovare.
Kreu i policisë atje, Nenad Gjurica e bëri të qartë se “nuk kanë ndërmend ta zbatojnë atë vendim, të cilin e konsiderojnë politik dhe të drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe vetë.
“Patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”, deklaroi Gjuric.
Deklaratat e tij erdhën pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Qeveria Kurti vendosi që plani i ndërrimit te targave në RKS të bëhej me tre faza, dhe ajo e qortimit është faza e parë e tij. E dyta parashikon një gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, në fazën e tretë do të përdoren targa prove, e pas 21 prillit, qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS, nuk do te lejohet më.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simic u shpreh qartë se të gjithë përfaqësuesit e partisë së tij janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të plotë “për policët e drejtorisë rajonale ne veri, dhe se dhënia e dënimit të parë, sipas tij, do të pasohet nga një reagim i ashpër dhe rezistencë e fortë.
Top Channel