“Elementë të shërbimit sekret rus dhe serb po nxisin tensione në veri”/ Sveçla për “Zona Zero”: Targat serbe, të jashtëligjshme në Kosovë

02/11/2022 17:53

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovë, Xhelal Sveçla ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Zona Zero” në Top News, ku foli për situatën e targave në veri të vendit.

Të martën autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Por, sipas Sveçlës, elementë të shërbimit sekret serb, BIA dhe të shërbimit sekret rus GRU ndodhen në veri të Kosovës.

“Ata po organizojnë këto grupe ekstremiste që nxisin tensione. Më herët, kemi dëbuar shtetas rusë me dyshime se janë spiunë. Sa herë ka tensione, ambasada ruse shkon në kufi me Kosovën. Që nga viti 2014 kemi 56 vetura të djegura në atë zonë”.

Madje, ministri i Brendshëm thotë se Serbia po ndihmohet me armë nga Rusia.

I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhiu nëse do të merren masa për kryetarin e Listës Serbe Goran Rakiç, njëkohësisht ministër në kabinetin qeverisës, që është shprehur se do të kundërshtojë ashpër gjobat për targat, Sveçla përgjigjet:

“Ne si qeveri po vuajmë pasojat e tmerrshme të vendimeve që qeveritë e mëparshme kanë marrë. Në qeverinë e Kosovës duhet të ketë patjetër një ministër serb, sipas ligjit.  Jemi në një situatë ku kemi një ministër kërkon minim të institucioneve ku ai vetë bën pjesë…. Ne jemi duke i zgjidhur çështjet një nga një”.

Sveçla cilëson prioritet të momentit “garancinë që duhet të sigurohet për qytetarët në veri të Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA