Plagosja me thikë e 16-vjeçarit/ Dëshmitarja: Po bëhet kiameti, theren e prehen për gocat

01/11/2022 14:31

Një 16-vjeçar u plagos me thikë pasdrekën e së martës në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa policia vuri në pranga autorin.

Ngjarja ndodhi pranë sheshit “Pranvera” në lagjen 11 të qytetit. Dy të rinj, përkatësisht 16 dhe 20 vjeç, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, pak para se në shkollën pritëse “Shaqe Mazreku” të niste mësimi në turnin e pasdites për gjimnazin “Naim Frashëri”.

Në sherr e sipër, 20-vjeçari Alesjo Musaj dyshohet se e ka qëlluar me një thikë 16-vjeçarin pranë një lokali në zonë. Ngjarja ndodhi për motive të dobëta. Një nga dëshmitaret në vendngjarje shprehet e shqetësuar për ngjarjet kriminale që ndodhin për motive të dobëta dhe ka një apel për prindërit që të miredukojnë fëmijët e tyre për të shmangur krime të kësaj natyre.

“Ditë për ditë po bëhet kiameti, theren e prehen për gocat. Nënat të dëgjojnë në televizor e t’i edukojnë fëmijët. Prindërit kanë shumë, shumë punë për të bërë me fëmijët e vet. Përditë vrasje, prerje për gocat.”

I mituri i plagosur është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia e Durrësit ndaloi autorin e dyshuar dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel