Misari i Myzeqesë sërish po përballet me katastrofë mjedisore.

Qindra tonelata peshk kanë ngordhur për shkak të ndotjes së ujërave. Kryesisht në fshatin Sulzotaj ne Divjakë, kjo degë e Misarit është e tejmbushur me peshq të ngordhur, era e të cilëve kutërbon gjithë zonën. Banorët thonë se disa herë në vit kjo situatë përsëritet dhe sidomos kur fillon puna e fabrikave të vajit të ullirit.

Pas sinjalizmit rreth kësaj situate të ndotjes alarmante , kanë ardhur për inspektim një grup nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Punonjësit e kësaj agjencie nuk pranuan të flasin për situatën me pretendimin se nuk duan të nxitohen në përfundimin e identifikimit të problemit.

Jashtë kamerës ata thanë se dyshojnë se janë disa faktorë që kanë sjellë këtë situatë duke renditur, mungesën e reshjeve të shiut, stallat e bagëtive, fabrikat e qumështit, baxhot, fabrikat e vajit të ullirit , ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve, të cilat derdhin mbetjet e tyre në Misar. Këto mbetje kanë përmbajtje të madhe të amoniakut çka shkakton ngordhjen e gjallesave ujore.

Ky problem eshtë ngritur çdo vit nga mediat por përveç identifikimit të ndotësve dhe gjobave ndaj bizneseve, zgjidhja nuk ka ardhur asnjëherë. Ujërat e Misarit të Myzeqesë derdhen në det dhe vazhdojnë të jenë të rrezikshme për të gjitha gjallesat.

Top Channel