Një 16-vjeçar u plagos me thikë pasdrekën e së martës në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa policia vuri në pranga autorin.

Ngjarja ndodhi pranë sheshit “Pranvera” në lagjen 11 të qytetit. Dy të rinj, përkatësisht 16 dhe 20 vjeç, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, pak para se në shkollën pritëse “Shaqe Mazreku” të niste mësimi në turnin e pasdites për gjimnazin “Naim Frashëri”.

Në sherr e sipër, 20-vjeçari Alesjo Musaj dyshohet se e ka qëlluar me një thikë 16-vjeçarin pranë një lokali në zonë. Ngjarja ndodhi për motive të dobëta.

I mituri i plagosur është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia e Durrësit ndaloi autorin e dyshuar dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Plagosi me mjet prerës(thikë), një 16-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Rreth orës 12:55, në lagjen nr. 11, Durrës, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, midis shtetasit A. M., 20 vjeç dhe një 16-vjeçari, në ambientet e jashtme të një lokali, shtetasi A. M. ka plagosur me mjet prerës (thikë), 16-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, shtetasin A. M. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, sipas policisë.

Top Channel