Seria e pamjeve të kamerave të sigurisë në rezidencën e kodrës së diellit gjatë ditës së vrasjes së 39-vjeçarit Briken (Skerdilajd) Sanaj dhe pamje të ditëve më parë janë çelësi që mund të çojnë në zbardhjen e identiteteve të atentatorëve që morën pjesë në ekzekutim.

Për zbardhjen e vrasjes policia ka shoqëruar rreth 20 persona kryesisht familjarë dhe persona që ishin në dijeni të konfliktit më shumë se 10 vjeçar që familja Sanaj kishte me një familje tjetër në Lezhë, por këto dëshmi nuk kanë dhënë të dhëna të vlefshme për hetimin.

Duke mos pasur vijueshmëri në pistën e hakmarrjes pasi personat me të cilët ishte në konflikt kanë pasur alibi, policia dyshon se mund të kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë.

Një tjetër pistë hetimore që po verifikohet është e shkuara e viktimës nëse ka qenë i implikuar në aktivitete të paligjshme. Nga itenerari i ndjekur pas ekzekutimit të 39-vjeçarit policia dyshon se vrasësit e kanë studiuar terrenin.

Ata kanë qëndruar në një zonë me bimësi përballë garazhit ku parkonte 39-vjeçari, të mbuluar nga fushëpamja e kamerave. Pas vrasjes ata dolën në rrugën e Zallit për të vijuar tek rruga “Isuf Elezi” dhe jo në autostradë ku kishte patrulla policie.

Në rrugë lagjesh ata arritën deri në “Qafë Kashar” ku dogjën mjetin dhe u larguan pa gjurmë. Verifikime po kryheshin edhe për targat e vjedhura të gjetura në mjetin e përdorur në vrasje, por deri më tani nuk janë gjetur prova të vlefshme.

Top Channel