Një 29-vjeçar është vënë në pranga, ndërsa bashkëpunëtori i tij mbetet në kërkim, pasi kërcënuan një person që t’u jepte 150 mijë paundë.
Vasel Kocaku (i arrestuari) dhe Omer Braho (i shpallur në kërkim) shantazhonin shtetasin me iniciale T. M., pasi dyshonin se vëllai i tij u ka vjedhur të afërmve të tyre në Angli një shumë parash në banesë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Undone”, brenda pak orësh u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i të riut nga Malësia e Madhe, ndërsa 39-vjeçari nga Shkodra është shpallur në kërkim.
Sipas policisë 29-vjeçari Vasel Kocaku rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi policisë:
Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Undone”.
Kanosën për jetën, një shtetas, që t’u jepte 150 000 paund, vihet në pranga 29-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi T. M., se dy persona e shantazhonin dhe e kërcënonin për jetën, që t’u jepte një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Undone”.
Falë veprimeve profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– V. K., 29 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe u shpall në kërkim shtetasi O. B., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë shantazhuar dhe kanosur për jetën, shtetasin T. M., për t’u dhënë atyre 150 000 paund.
Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel