Greqi/ Me jelek anti-plumb dhe kapuç në kokë, dërgohet në gjykatë shqiptari i akuzuar për përdhunim

01/11/2022 14:34

Shqiptari i akuzuar nga Greqia për përdhunim është dërguar në gjykatë, i veshur me jelek anti-plumb dhe kapuç në kokë.

Teksa shoqërohej nga policia greke 45-vjeçari Spartak Dyrmishi është futur në makinë civile me xhama të zinj, për tu dërguar më pas në ambientet e gjykatës.

Ai iu është dorëzuar policisë greke në kufirin e Kakavijës, i shoqëruar nga policët dhe me pranga në duar.

Është vërtetuar se shqiptari është autor i dy përdhunimeve, nga tre që akuzohej. Këtë fakt e zbuloi ADN-ja e kryer nga rrobat e viktimave.

Arrestimi i Dyrmishit u bë e mundur gjatë natës, ndërsa ishte larguar drejt Shqipërisë më 27 tetor të këtij viti.

Autoritetet shqiptare e kanë identifikuar 45-vjeçarin nga shenja e gishtit të celularit dhe pasi e kanë arrestuar, në orën 2 të mëngjesit të sotëm ia kanë dorëzuar efektivëve të policisë greke.

Sipas informacioneve që publikohen në shtypin grek, ministri grek Takis Theodorikakos ka biseduar tri herë me homologun e tij shqiptar ditën e djeshme, duke kërkuar që të intensifikohen procedurat për gjetjen dhe dorëzimin e 45-vjeçarit tek autoritetet greke.

45-vjeçari kishte probleme me alkoolin, ndërsa ishte ndarë para pak kohësh nga bashkëshortja dhe është baba i dy fëmijëve të vegjël, vajzë dhe djalë.

Rasti i fundit i përdhunimit ishte një javë më parë ku sipas denoncimit të njërës prej viktimave, shtetasi shqiptar tashmë i identifikuar e përdhunoi në stacionin e tramvajit në lagjen “Faliro” në një prej zonave më turistike të kryeqytetit, ndërsa vetëm një ditë më pas, i njëjti person tentoi të përdhunonte një tjetër, e cila pasi mundi të gjejë një lokal dhe të ndalojë makinën, u largua me vrap duke kërkuar ndihmë.

Top Channel