Vrasje për hakmarrje në Tiranë/ Ekzekutohet 39-vjeçari, dyshime për një konflikt 12-vjeçar

31/10/2022 15:03

Një atentat mafioz tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së dielës. Në rezidencën kodra e diellit pavarësisht se ka siguri të shtuar dhe kamera së paku dy persona hynë me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura dhe qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj nga Lezha.

Mbrëmjen e së dielës 39-vjeçari Briken Sanaj sapo ishte kthyer nga një dasëm në Lezhë ku persona ende të pa identifikuar u afruan në garazhin ku ai parkoi makinën dhe e qëlluan për vdekje.

Dyshohet se autorët kishin gjurmuar 39-vjeçarin dhe sapo ai doli nga makina dhe po bisedonte me të njohurit e tij, ata hapën zjarr pa dalë nga makina dhe u larguan.

Miqtë e 39-vjeçarit tentuan t’i japin ndihmë duke e çuar me urgjencë në spital, por ai ndërroi jetë rrugës.

Ndërsa autorët të pashqetësuar nga askush dogjën makinën e  përdorur në vrasje në zonën e Qafë Kasharit dhe u larguan në drejtim të paditur.

Në brendësi të mjetit të shkrumbuar policia gjeti një kallashnikov që dyshohet arma e krimit ndërsa target e mjetit kanë qenë të denoncuara të vjedhura disa ditë më parë në Tiranë.

Për zbardhjen e ngjarjes grupi hetimor është orientuar te vëzhgimi i kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes po ashtu edhe dëshmitë e familjarëve.

Të afërm të 39-vjeçarit thanë për uniformat blu se i vetmi konflikt që ai ka është me një familje në Lezhë për shkak të një plagosje të ndodhur në vitin 2011.

Vëllai i Briken Sanajt ka plagosur një të ri nga Lezha  pas konfliktit për një vajzë. Kjo ngjarje nisi një hasmëri e cila përgjatë viteve ka pasur tentativa për tu shuar por familja e dëmtuar nuk ka pranuar.

Për rastin policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona por ende nuk ka emra për autorët e ngjarjes.

Vrasja e djeshme ndodhi në një zonë rezidenciale ku ka sistem sigurie, roje dhe kamera në çdo cep si një shtëpi big brother.

Ndërkohë konflikti që dyshohet se u bë shkak ishte një histori e ditur nga policia. E megjithatë vrasja ndodhi.

Krismat e djeshme në lagjen më të survejuar të Tiranës, u kthyen ne vigjiljen më të frikshme të ditës së Hallowen.

 

Top Channel