Thirrje për puç ushtarak! Bolsonaro nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve në Brazil

31/10/2022 20:20

Presidenti aktual i Brazilit, Jair Bolsonaro ende nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve, që i dhanë fitoren, edhe pse shumë ngushtësisht rivalit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva.

Në zgjedhjet presidenciale në Brazil, ish-presidenti i krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva dhe Bolsonaro i krahut të djathtë u përplasën ashpër në një garë kokë më koë deri në momentin e fundit. Komisioni zgjedhor shpalli fitues Lula da Silvën me 50.9 për qind të votave, ndërsa rivalin e tij të shumëdiskutuar shkuan mori 49.1 për qind.

Në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve, Lula da Silva, i dënuar për korrupsion por padrejtësisht sipas Gjykatës Supreme që e anulloi atë vendim, shprehu dëshirën për të pajtuar kampet e armiqësuara në vendin e Amerikës së Jugut.

Lula da Silva: Unë do të qeveris në interesin e 215 milionë brazilianëve. Në Brazil ekziston vetëm një popull, nuk ka dy popuj në këtë vend. Është momenti për të rivendosur paqen mes grupeve të armiqësuara.

Presidenti i SHBA Joe Biden nxitoi ta uronte për fitoren e tij, duke nënvizuar shprehimisht se votimi ishte “i lirë, i drejtë dhe i besueshëm”. Kreut të ri të shtetit Brazilian i mbërritën urinë edhe nga Gjermania. Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier deklaroi në Berlin, se Brazili është një partner i rëndësishëm strategjik dhe një lojtar kyç në tejkalimin e sfidave globale.

Por Bolsonaro nuk i ka komentuar zgjedhjet dhe nuk është e qartë nëse ai do të pranojë humbjen. Gjatë natës së kaluar ka pasur festime dhe protesta në vend. Njoftohet edhe për incidente dhe një të vrarë.

Bolsonaro ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi sistemin zgjedhor dhe ka thënë disa herë se është e mundur që të mos njohë rezultatet, ndërsa disa nga mbështetësit e tij kanë bërë thirrje edhe për një grusht shteti ushtarak.

Top Channel