Çështja e ukrainasit Fedir Aplatov dhe dy rusëve Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeva ka përfunduar në Gjykatën e Lartë.

Të dyshuar për sigurim të informatave mbasi u kapën në uzinën ushtarake të Gramshit si dhe goditje për shkak të detyrës, të tre ata po mbahen në burg për spiunazh. Rekursi ndaj arrestimit në flagrancë të tyre, sipas shortit do të shqyrtohet nga gjyqtarja e lartë Albana Boksi.

Por kjo nuk është dosja e vetme me spiunë të dyshuar në Shqipëri. Në dosjen që disponon Top Channel një tjetër prokurori, ajo e Tiranës mbylli hetimet për 7 shtetas çekë dhe rusë që kryen lëvizje të dyshimta në afërsi të disa bazave ushtarake.

Ata përmenden së bashku me informacionet mbi një diplomat rus që gjatë stërvitjes së defender 2021 hyri në portin e Durrësit duke u prezantuar si atashe tregtar Ukrainas.

Sipas agjencisë sekrete shqiptare diplomati e fshehu prezantimin si funksionar i Ambasadës ruse që të mos ishte i dyshuar tek zyrtarët e portit dhe që ta kishte më të lehtë marrjen e informacionit mbi mjetet ushtarake që do të zbarkonin gjatë 2021 në këtë port. por prokuroria nuk mundi të gjejë dot prova mbasi asnjë akt ekspertizë i policisë shkencore nuk u konsiderua i plotë për të ngritur akuzë.

Prokop Voracek, Andrea Maresova, Filip Singer, Libor Bartor, Georgi Budanov, Vladimir Cherkasov dhe Filip Carek u hetuan nga prokuroria e Tiranës për spiunazh sipas nenit 214 që flet për sigurim të informatave.

Në përfundim prokuroria i kërkon gjykatës së Tiranës ta pushojë çështjen mbasi nuk u arrit gjetja e provave që vërtetojnë se ata hynë në Shqipëri me qëllimin për të garantuar informata sekrete me karakter ushtarak.

Prokuroria thotë se i kreu çdo veprim që nga këqyrja e telefonave të tyre por pa asnjë rezultat. Megjithatë prokuroria pranon se GPS i makinave me të cilat udhëtuan të dyshuarit e antiterrorit ekspozon itenerarin e tyre jo vetëm në parqet nacionale por edhe pranë bazave ushtarake.

Ata hynë nga pika kufitare të ndryshme gjatë stërvitjes Defender Europë 2021.

Vitizita e tyre përkoi me stërvitjen e NATO-s në Shqipëri, përmend akuza që u vu në lëvizje nga antiterrori, i cili ishte sinjalizuar nga partnerët.

Ata justifikohen për turizëm njoftuan të huajt por qëllimi i tyre është mbledhja e informatave mbi trupat e NATO-s që do të dislokohen në Shqipëri. Mbas këtij informacioni mbërritën turistët çekë dhe rusë, disa me kamper dhe të tjerët si biznesmenë.

Top Channel