OKB hedh poshtë akuzat ruse për sulmin në Detin e Zi

31/10/2022 20:40

Kreu i agjencisë humanitare të Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë pretendimet ruse se një anije civile e mallrave që bartte drithëra ukrainase mund të jetë përfshirë në sulmin me dronë ndaj Rusisë.

“Asnjë anije nuk ka raportuar për ndonjë incident gjatë fundjavës”, tha ai.

“Korridori është vetëm një vijë në hartë: Kur anijet e nismës nuk janë në zonë, korridori nuk ka status të posaçëm. Nuk ofron as mbrojtje për veprimet ofensive apo mbrojtëse të ushtrive”, shtoi ai.

Moska të dielën u tërhoq nga marrëveshja për drithërat – që u ndërmjetësua nga OKB-ja – pasi flota e saj në Detin e Zi, u sulmua me dronë.

“Dronët po lëvizinin në zonën e sigurt të ‘korridorit të drithërave’”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Një prej dronëve u lëshua “nga bordi i një anije civile e Ukrainës apo e shteteve perëndimore, që përdoret për eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës”, pretendoi Rusia.

Pavarësisht tërheqjes së Moskës nga marrëveshja, anijet me ngarkesa me drithëra dhe produkte të tjera bujqësore janë larguar nga portet ukrainase të hënën me mbështetjen e OKB-së dhe Turqisë.

Kremlini tha se është “e rrezikshme” që marrëveshja të zbatohet pa përfshirjen e tij.

Top Channel