Kurti “rrëzon” sërish SHBA-në: Ne, konstruktivë me partnerët për rajonin!

31/10/2022 23:03

“Jemi treguar konstruktivë dhe krijues në zgjidhjen e shqetësimeve që aleatët tanë kanë për rajonin”, në këtë mënyrë iu përgjigj qeveria e Kosovës zhgënjimit të SHBA-së dhe BE-së për mosshtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e paligjshme serbe.

Ndërkombëtarët kishin insistuar që t`i lihej një hapësirë kohore prej 10 muajsh implementimit të këtij vendimi.

Ekzekutivi kosovar bëri një zbutje të nismës me disa faza, por nuk hoqi dorë prej saj. “Qeveria e Kosovës është dëshmuar partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e aleatëve, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat historikisht dhe tradicionalisht kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore”, thuhet në deklaratë.

Të premten, qeveria e Kurtit përmbysi pritshmëritë e ndërkombëtarëve me vulosjen e vendimit për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe, për t`i kthyer ato në targa

Kosove RKS. Prishtina zyrtare e shtyu një herë zbatimin e vendimit në 31 korrik, pas trazirave që shpërthyen në veri, ku serbët lokalë ngritën barrikada në rrugë. Shtyrja, edhe atëherë, u bë me ndëhyrjen dhe këshillimin nga ndërkombëtarët.

Ekspertë të ndryshëm mendojnë se realisht Kosova nuk e ka kapacitetin ta zbatojë planin me tre faza të targave. Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, thotë se Policia e Kosovës nuk është në gjendje ta vërë atë në jetë, pasi flitet për mijëra automjete në veri.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa të paligjshme, që bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Top Channel