Rezultatet paraprake  të procesit të  regjistrimit të popullsisë në Serbi i cili filloi me 1 tetor dhe përfundon sot tregon se , në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jetojnë mbi 100 mijë banorë shqiptarë.

Shifra këto, që hedhin poshtë ato të  autoriteteve shtetërore serbe të cilat, konsideronin se vetëm 5 mijë e 200 banorë shqiptarë jetonin në pjesën jugore të Serbisë, duke u bazuar në regjistrimin e vitit 2011, ku shqiptarët kishin bojkotuar atë kohë censusin për shkak se formularët e regjistrimit ishin shtypur në gjuhën serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

Duke përmendur deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Kurti ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare që të monitorojë procesin e përpunimit të të dhënave.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, apeloi Kurti në rrjetet sociale.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA