Takimi i arkitektëve në Tiranë/ Veliaj mbron ndërtimin e kullave: Arkitektët nuk janë mafiozë

30/10/2022 19:51

Arkitektë profesionistë, urbanistë dhe të rinj u bënë bashkë në forumin Designing Together – Projektojmë së Bashku, për të diskutuar mbi hapësirat publike, lëvizshmërinë, çfarë do të thotë të jetosh në komunitet dhe urbanizimin.

Kryetari bashkisë Erion Veliaj u përqendrua te transformimi  i Tiranes në 8 vitet e fundit me i vetsimet si sheshi Skenderbej, unaza e madhe, pazari i ri  bulevardi i ri. Ai theksoi nevojën qe ka Tirana për tu zhvilluar

  “Herën e fundit kur ishim në këtë sallë, patëm një konkurs për ndërtimin e një kulle në Tiranë. Filozofia e planit urbanistik në një Tiranë, e cila rritet me 30 mijë banorë çdo vit, ka qenë një filozofi që thotë – për sa kohë nuk jemi anëtarë të BE-së dhe nuk e përballojmë dot me buxhetin tonë një metro që kushton 300 milion euro km, për sa kohë e kemi të kufizuar hapësirën bujqësore dhe hapësirën e gjelbër në kurorën e Tiranës, kemi dy mundësi: ose të shkatërrojmë periferitë dhe të shtrihemi si qytet deri në Elbasan apo në Durrës, në Bizë të Martaneshit apo në Ndroq, ose rritemi në volum në lartësi, për të siguruar të lirojmë sa më shumë hapësira, në një qytet i cili është i destinuar të rritet në mënyrë të pandalshme”.

Veliaj iu përgjigj atyre qe e kritikojnë për ndërtimet e larta apo dhe akuzave se me to pastrohen para.

Thonë se të gjithë këta që ndërtojnë janë mafiozë me para të pista. Por, arkitektët kanë emër. Disa prej tyre janë këtu, me fytyrën e tyre, janë fizikisht në Tiranë. Nuk më rezulton që ndonjëri prej tyre të jetë mafioz, i përndjekur apo në gjykatë në vendet e tyre. Secila prej kompanive që ndërton ka vendosur një tabelë, ku emrat janë publikë, njerëz që njihen. Por, nëse në një raport që flet për këto ndërtime, citohet një ekspert anonim i pastrimit të parave, kjo nuk shkon! Të shkosh e të shërbesh për të sharë vendin tënd dhe për të krijuar një histeri aty nuk ka, pa e kuptuar se kjo industri e shpëtoi Shqipërinë gjatë pandemisë, nuk bën. Kush ka qenë në Tiranë në vitet e para, e ka parë që te “Partizani i Panjohur” rreshtoheshin matrapikët e ngulur në asfalt. E keni vënë re që ka vite që nuk shohim njerëz që kërkojnë punë aty? Ne inspektuam punimet te Piramida dhe pa e ekzagjeruar, 80% e punëtorëve ishin indianë. Prandaj, pyetja është: Nëse dimë dikë që pastron para, duhet ta denoncojmë tani. Por, me emër dhe mbiemër. Jo me anonim. Jo për të marrë një kontratë konsulence dhe për të sharë vendin tonë. Nuk ka vend në botë që e luan këtë sport kaq agresivisht, sa e luajmë ne. Shaj dhe shpif. Unë e kuptoj se po afron fushata, ndaj do dëgjojmë lloj-lloj çudirash. Edhe ata që shajnë jetojnë në kulla. Zyrën e tyre e kanë në një kullë dhe kulla e tyre është OK, por kulla e tjetrit është pastrim parash, është punë mafiozësh”,.

Veliaj shpjegoi edhe arsyen perse ndërtohet kaq shume ne kryeqytet

 “E vetmja gjë që mund të bëjmë është të menaxhojmë rritjen e Tiranës. Nuk e di se çfarë përfaqësoni, por me statistikë edhe në këtë sallë, mbi 90% e juaja është e ardhur në Tiranë, dhe vetëm 10% prej jush janë këtu me stërgjyshër nga Tirana. Nëse është ky realiteti, atëherë duhet me u sjellë sipas këtij realiteti. Mos të fillojmë një histeri kolektive për ndërtimet në Tiranë, pasi e dimë fare mirë se në vitet kur Bashkia e Tiranës ishte e paaftë për të dhënë leje ndërtimi, e pamë se çfarë prodhoi. Njerëzit do të vinin në Tiranë me çdo kusht, por nëse bashkia nuk mban hapin e demografisë, atëherë sigurisht ata do të mbajnë hapin e ambicieve të tyre, duke u përkthyer në ndërtime pa leje”.

 

Top Channel