Shkatërrimi muajin e kaluar i linjave të gazsjellësit Nord Stream, që sjellin gazin natyror nga Rusia drejt Evropës është ende nën hetim, por sot Moska në mënyrë sensacionale ka akuzuar Britaninë për aktin e sabotazhit.
Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se “sabotatorët e marinës së Britanisë” janë përgjegjës për shkatërrimin e linjës gazsjellëse Nord Stream, akt të cilin ata e përshkruanin si një “sulm terrorist”.
“Sipas informacioneve që kemi, anëtarë të kësaj njësie të Marinës Britanike kanë marrë pjesë në planifikimin, organizimin dhe zbatimin e sulmit terrorist në Detin Balltik më 26 shtator të këtij viti, duke hedhur në erë 2 linjat e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2,” thuhej në deklaratën e ministrisë.
Pala ruse nuk jepte prova për pretendimet.
Por ministria britanike e mbrojtjes reagoi me një version të sajin: “Për të larguar vëmendjen nga pushtimi tyre katastrofik i Ukrainës, ministria ruse e mbrojtjes po bën pretendime të rreme, me argumente që qarkullojnë më shumë brenda qeverisë ruse sesa në Perëndim”.
Pas shpërthimit në fjalë, aleatët e NATO-s kanë shtuar prezencën e tyre në detin Balltik dhe detin e Veriut, në mbrojtje të strukturave si anije, satelitë e nëndetëse, me patrulla anti-ajrore dhe anti-dron.
Autoritetet gjermane, daneze dhe suedeze janë ende në hetim të incidentit të 26 shtatorit, ku u shkatërruan me eksploziv rreth 50 metra të gazsjellësit nënujor.
Zhvillimi vjen në një kohë të vështirë furnizimi energjitik teksa çmimet e gazit janë rritur kudo në Evropë.
Perëndimi nuk ka akuzuar drejtpërsëdrejti Rusinë por ministrja franceze e ‘tranzicionit energjitik’ Agnes Pannier-Runacher, i shtonte benzine zjarrit te panikut kur tha se “Rusia po e përdor gazin si një armë lufte dhe ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq, të ndërprerjes së furnizimit.”
Top Channel