Korrupsioni, “qeveria asnjë reflektim”/ Analistët komentojnë hapat pas me “sundimin e ligjit, transparencë dhe llogaridhënien”

29/10/2022 12:19

Ekspertët: Qeveria asnjë reflektim për raportin. Një mazhorancë në mandatin e tretë, asnjëherë nuk bën dot reforma.

Sipas Treguesit për Sundimin e Ligjit, Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket korrupsionit, rendit, sigurisë, transparencës, llogaridhënies. Por si e shpjegojnë ekspertët politikë këtë renditje të vendit tonë në Indeksin e WorldJusticeProject, ku Shqipëria renditet edhe shumë më poshtë sesa shteti i Kosovës.

“Fakti që treguesit janë kritikë lidhet me dy argumente. Së pari me mungesën e reformave. Një mazhorancë në mandatin e tretë asnjëherë nuk bën reforma, dhe nuk ka mundësi për të bërë reforma, sepse duhet të ndryshojë gjëra që ka bërë në mandatet më përpara. Pra aktualisht ne nuk kemi reforma, por konsumim pushteti. Dhe së dyti ka të bëjë me një lloj bllokimi të sistemit politik. Do të thotë që të gjithë flasin për drejtësi dhe presim që drejtësia të veprojë, por ne nuk shohim persona VIP që përballen me drejtësinë. Proceset nga ana tjetër zgjaten pa fund dhe qytetarët zvarriten me vite. Sistemi I informimit është kufizuar ndjeshëm dhe është bërë gati-gati vertikal, do të thotë që kontrollohet nga pak duar dhe ka emra”, tha Afrim Krasniqi-ekspert Politik.

Raporti për korrupsionin ka dalë dhe asnjë nga institucionet zyrtare shqiptare nuk e ka komentuar atë, dhe nuk ka reflektuar. Nuk mundet të presim Shqipëri Europiane, as reformat ë mëdha, nëse kemi deputete të korruptuar, kemi politikanë të korruptuar dhe kemi individë që janë në listën e zezë amerikane, apo janë nën hetimet e Prokurorisë për korrupsion.

-A ju duket se kemi shtet ne?

Përgjigjja e qytetarëve: 

-Asnjëherë nuk ke patur e as nuk do të ketë. Vetëm diktaturë dhe hajdutë që të gjithë, qeveria, me gjithë pushtetarë dhe zyrtarë. Pyet për korrupsionin, por nuk ka për t’u bërë asgjë, më keq do të bëhet.

-Korrupsioni tek ne është në nivel shumë të lartë, në shumë fusha që ne i njohim mirë, sepse i prekim përditë, si punësimi, shkollimi, institucionet.

-Po nuk pate para, nuk të afrohet njeri. Korrupsion ka në çdo qelizë të shoqërisë sonë. Faqja e zezë jemi, ndaj po zbrazet vendi.

Top Channel