“Gjatë natës rrodhi sërish gaz”, prindërit në Porto Romano kërkojnë mbylljen e shkollës: Të garantohet siguria në zonë

28/10/2022 10:01

Shkolla 9-vjeçare në zonën e Porto Romanos i ka dërguar kërkesë bashkisë dhe Zyrës Vendore të arsimit për marrjen e masave nga rreziku që u kanoset si rezultat i aktivitetit të fabrikës së gazit ku janë regjistruar disa incidente të rrezikshme.

Siguria e fëmijëve në zonën e Porto Romanos është në rrezik, ndaj banorët e Porto Romanos mëngjesin e sotëm kanë  kërkuar mbylljen e shkollës si masë sigurie për fëmijët  e tyre.

Një përfaqësi banorësh u takuan me drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” duke kërkuar prej tij mbylljen e institucionit deri në momentin kur autoritetet të shprehen zyrtarisht për sigurinë në zonë. Fabrika, edhe pas rrjedhjes, vijon normalisht veprimtarinë e saj dhe sipas banorëve, edhe natën e kaluar ka pasur rrjedhje gazi prej saj.

Drejtuesi i shkollës Hajri Nuhu u tha se e ka përcjellë shqetësimin e mësuesve dhe prindërve pranë bashkisë dhe ZVA- së dhe është në pritje të vendimeve të tyre.

Të pasigurt për jetën e tyre, banorët shprehen se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri sa të ndërpritet aktiviteti i rrezikshëm i fabrikës në këtë zonë të banuar.

Ndërkohë, shërbimi i mbrojtjes kundër zjarrit në Bashkinë Durrës e ka gjobitur fabrikën me 50 mijë lekë për mungesën e certifikatës së sigurisë për mbrojtjen nga zjarri për botin e gazit ku ndodhi incidenti.

Top Channel