Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ambasadorët e QUINT-it, kanë kërkuar kohë që të konsultohen me kryeqendrat e tyre për vendimin e targave.
Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti ka deklaruar se ambasadorët nuk ishin të njoftuar para takimit për propozimin që ka qeveria për konvertimin e targave, afati i të cilit ishte deri më 31 tetor.
Në konferencë për media, shefi i ekzekutivit ka theksuar se ideja e ambasadorëve të pesë vendeve të QUINT-it, ka qenë që gjithçka të spostohet më shumë muaj.
“Së bashku me ministrin Sveçla, me dy zëvendëskryeministrat Gërvalla e Bislimi kemi takuar pesë ambasadorët e QUINT-it dhe gjithashtu ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë. Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë që gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë që kjo është zgjidhja më e mirë. Me ç’rast ata natyrisht që nuk e dinin këtë propozim tonin paraprakisht, patën disa pyetje dhe më pastaj thanë që iu nevojitet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin, i cili ishte propozim në mbledhjen e fundit të qeverisë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka njoftuar se shefi i stafit, Luan Dalipi i ka ftuar kryetarët e komunave në veri lidhur me pagesën e energjisë elektrike në ato komuna.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se nuk kanë pasur presion ndërkombëtar për shtyrjen e afatit për konvertimin e targave. Sipas Kurtit, ka fushatë agresive kundër serbëve të Kosovës.
“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuensuar atë. Dhe mendojmë që kjo është zgjidhja më e mirë tani. Ne e dimë që në javën e parë të nëntorit e kemi samitin e procesit të Berlinit, i cili do të mbahet për herë të parë me kancelarin gjerman, por gjithashtu do të kemi edhe takime edhe të tjera me ndërkombëtarë, sa i përket pozicionit të Kosovës në raport me BE dhe jo vetëm. Por, jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale e cila vjen nga fqinji ynë verior kundër serbëve të Kosovës. Dhe të gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që më së miri është që zbatimin e vendimit kurrsesi mos ta shtyjmë, por ta përshkallëzojmë dhe sekuensojmë atë”, ka shtuar Kurti në konferencë për media.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se janë të interesuar që të gjitha targat ilegale të dorëzohen, duke shfrytëzuar benifitet dhe të kthehen në ato zyrtare të Kosovës.
“Për shkak të rezistencës të shtyrë nga Beogradi dhe organizimit të grupeve kriminale, më 31 korrik, pra një ditë para skadimit të këtij afati, me qëllim të shmangies së çdo eskalimi, si dhe dhënies së mundësisë shtesë për regjistrimin e automjeteve dhe kalimin nga targat ilegale në targa RKS, afati ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë, pra deri më 31 tetor 2022. Brenda afatit dy mujor mes shumë kërcënimeve, djegieve të automjeteve e shtëpive dhe instalimit të frikës për serbët lokal të Republikës së Kosovës, janë regjistruar 20 vetura, ku pronarët e tyre kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë dhe kanë pranuar targat zyrtare të Kosovës RKS”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri Sveçla tha se situata po provokohet nga Serbia, ani pse Kosova nuk është e interesuar për eskalim.
“Ne jemi të interesuar që të gjitha targat ilegale të dorëzohen, duke shfrytëzuar benefitet që ka ofruar qeveria jonë dhe nuk duam asnjë eskalim të situatës, ndonëse po provokohet në vazhdimësi nga presidenti i Serbisë, Qeveria e Serbisë dhe veglat e tyre në veri të Kosovës. Me qëllim të lejimit të regjistrimit të veturave në ilegale në zyrtare në RKS, ne sapo votuam që procesi të përshkallëzohet, pra të ndahet në faza dhe të përmbyllet më 21 prill të viti të ardhshëm, prej kur nuk do të lejohet lëvizja e veturave të paregjistruara”, ka shtuar ai.
I pyetur se a pritet të ketë eskalim të situatë, ministri i Punëve të Brendshme tha para gazetarëve se nuk ka arsyeje për një gjë të tillë.
“Nuk ka kurrfarë arsyeje që të ketë eskalim të situatës atje, vendimi është plotësisht i ligjshëm dhe legjitim. Institucionet e sigurisë të Kosovës janë të përgatitura që këto vendime t’i implementojnë në përpikëri, ne gjithmonë duke pasur parasysh zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave më të mira të qytetarëve, të cilës do pjesë të Kosovës. Policia e Kosovës atje vazhdon me aktivitete të përditshme. Tashmë mund t’iu njoftojë edhe për përfundimin e aksionit të bastisjes në një shtëpi të një lokacioni, ku është arrestuar një shtetas i Kosovës, nacionalitetit serb për kontrabandë me substanca narkotike, ku PK ka konfiskuar 10 kilogram të llojit marihuanë”, ka deklaruar Sveçla.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është marrë vendim për shkallëzimin të sanksioneve për targat ilegale në Kosovë. Nga data 21 nëntor do të fillojë masa e gjobitjes.KosovaPress
Top Channel