Emrat/ Konflikt me armë zjarri mes fqinjëve tek “Kodrat e Diellit”, raportohet për një të plagosur

27/10/2022 22:29

Një konflikt mes fqinjëve ka përfunduar në përdorimin e armëve të zjarrit tek “Kodrat e Diellit”, ku i plagosur ka mbetur 38-vjeçari Jonian Shehu.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për Top Channel, se ngjarja ka ndodhur në një ambient të mbyllur ndërsa i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën.

Shehu është paraqitur në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, menjëherë pas sherrit me fqinjin Olsi Bllaçi.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorit Bllaçi.

Tiranë/Informacion paraprak

Plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, identifikohet e shpallet në kërkim autori.

Më datë 27.10.2022, rreth orës 21:50, është paraqitur në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, shtetasi J. Sh., 35 vjeç, i plagosur me armë zjarri.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë shkuar në vendngjarje, te Kodra e Diellit, dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar shtetasit O. B.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi O. B., pas një konflikti ka plagosur me armë zjarri shtetasin J. Sh.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes .

Vijon kontrolli i zonës për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.

 

Top Channel