Cisterna nga rrodhi gazi, e pacertifikuar! Firma në Porto Romano nuk njofton masa për parandalimin e incidenteve të tilla

27/10/2022 13:48

Cisterna nga rrodhi gazi një ditë më parë në Porto Romano nuk e ka pasur një certifikatë për t’u përdorur për këtë qëllim.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, thotë se cisternës nuk i janë bërë kontrollet e duhura dhe se ka mungesë dokumentacioni, madje nuk ka as certifikatë miratimi për transportin e mallrave të rrezikshëm.

Gazetarja Vali Qyrfyçi raporton nga vendngjarja se situata mund të përsëritet përderisa nuk ka një njoftim zyrtar, as nga kompania se cilat janë masa që po merr për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e një tjetër incidenti.

Njoftimi i Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial:

Mbi avarinë e ndodhur më dt. 26.10.2022 në subjektin Gaspoëer Al sha me Nipt L21409504T e vëndndodhje: në instalimin e depozitave të GLN-s (Gaz i lëngezuar i naftës) Durrës, Lagjja 15, Rruga “Velipoja”, Porto Romano, Ish Ndërrmarja Kimike.

Rreth ores 11:30 është konstatuar rrjedhje GLN-je nga valvula e sigurimit të cisternës së GLN-s të automjetit me targë DR4093C e parkuar në territorin e subjektit Gaspoëer Al sha.

Sipas punonjësit Artan Tafhasaj avaria është konstatuar rreth orës 11:30 , është dëgjuar një zhurmë si dhe rrjedhje GLN-je nga valvula e sigurimit të cisternës së automjetit me targë DR4093C.

Operatorët e subjektit kanë vepruar menjëherë duke e mbajtur nën kontroll rrjedhjen e GLN-s si dhe kanë vepruar me ujë nëpërmjet sistemit të hidranteve, është vazhduar me mbajtjen nën kontroll të rrjedhjes së GLN-s si dhe uljen e presionit duke hequr nëpërmjet pompës së impiantit GLN-s dhe dërgimin në rezervaret staticionar të GLN-s.

Për izolimin e plotë e rrjedhjës së GLN-s u përdor një reduksion i filetuar në njërën anë të së cilit u instalua një saraçineskë.

Ky reduksion u montua në tronketën dalëse të valvulës së sigurimit me filetim.

Në lidhje me dokumentacionin tekniko-ligjore të çisternës së GLN-s të automjetit rezultojnë këto mangësi:

1 – Certifikatë konformiteti e cisternës e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar.

2 – Certifikatë e miratimit për mjetet që transportojnë disa mallra të rrezikshëm e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar (ADR).

3 – Certifikatë për transportin e mallrave të rrezikshëm e cila lëshohet nga Drejtoria e Transportit Rrugore.

4 – Policë për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësisnë ndaj palëve të treta.

5 – Certifikatë e kalibrimit të sasisë të cisternës së GLN-s.

Top Channel