Prag tragjedie në Porto Romano! Rrjedhje gazi në një fabrikë, evakuohen të gjithë banorët e zonës

26/10/2022 19:46

Të alarmuar nga rreziku i një shpërthimi të mundshëm, këtë të mërkurë banorë të Porto Romanos në Durrës braktisën shtëpitë e tyre, ndërsa shkolla 9-vjeçare “Met Hasa” në këtë zonë ndërpreu mësimin dhe largoi nxënësit si masë sigurie për jetët e tyre.

Shkak u bë një rrjedhje masive gazi nga fabrika e tregtim ambalazhimit të gazit që ndodhet në këtë zonë të banuar.

Çlirimi i gazit shkaktoi ndotje të ajrit në një rreze të gjerë, si dhe probleme shëndetësore te mjaft banorë dhe nxënës të shkollës.

Dalja jashtë funksionit e një valvule sigurie të presionit të lartë gjatë kohës kur po ngarkohej gaz nga depozita në një autobot të kompanisë e ka nxjerrë situatën jashtë kontrollit të stafit të fabrikës.

Shërbimet e policisë, zjarrfikësve dhe autoambulanca kanë qenë në gatishmëri për orë të tëra, ndërsa është vendosur perimetri i sigurisë për orë të tëra, pasi ndërhyrja ka qenë e vështirë.

Drejtues të policisë dhe shërbimit zjarrfikës kanë qenë në vendngjarje për të qetësuar banorët e paktë që kanë mbetur në zonë dhe protestuar duke kërkuar mbylljen e fabrikës.

Kjo është një ngjarje e përsëritur, që ka rënduar më tej bashkëjetesën e vështirë mes banorëve dhe fabrikës. Disa muaj më parë, më 18 qershor, në fabrikë ra një zjarr, që ccoi në evakuimin e zonës përreth nga banorët, të cilët më pas nisën protestat në mbrojtje të jetës e shëndetit, por pa marrë një përgjigje nga autoritetet dhe fabrika.

 

Top Channel