Me vlerë 1.8 milionë euro! Sekuestrohet prona në Livadh, ishte regjistruar me dokumente të falsifikuara

26/10/2022 15:25

Një pronë me sipërfaqe totale 6000 m², në zonën e Livadhit në Himarë është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Vlorës.

Vlera e pasurisë së sekuestruar, sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën e  1 800 000 euro.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë në datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me nr.1300, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 248, 186 dhe 287 të K.Penal.

Nga hetimi rezultoi se pasuria e regjistruar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë (ASHK), në nenin hipotekor 235, datë 01.09.2020, ZK.1952, Himarë, është regjistruar me dokumente të falsifikuara në emër të shtetasit K. Gj.

Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit, mbi bazën e akteve të administruara si dhe aktit të ekspertimit tekniko-grafik të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar e provuar se dokumentacioni i kësaj praktike që bën fjalë për pasuri të regjistruar në zonën e Livadhit Himarë, ka rezultuar i falsifikuar.

Nga aktet hetimore, provohet se i dyshuari shtetasi K. Gj., banues në Himarë, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë, AMTP-në, formularin nr.6, si dhe gjithë praktikën e dalë nga Këshilli i Qarkut Vlorë, DAMT-ja. Shtetasi K. Gj., dokumentet e falsifikuara i ka paraqitur fillimisht pranë Bashkisë Himarë, Drejtorisë të Manaxhimit të Tokave Pyjeve dhe Kullotave ku ka kërkuar regjistrimin e ngastrës te quajtur “Apelistra”, me sipërfaqe 6000m2.

Mbi bazën e akteve të administruara deri më tani, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasin K.Gj.

Me vendimin me nr.448 datë 22/10/2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, sipas objektit të mësipërm. Po kështu, në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me nenin hipotekor 235, datë 01.09.2020, ZK.1952, Himarë më një sipërfaqe totale prej 6000 m², të ndodhura në zonën e Livadhit, Himarë në Qarkun Vlorë.

Me vendimin me nr.449 datë 22/10/2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duke vendosur masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive për pasurinë e cituar në kërkesën e paraqitur nga Prokurorisë Vlorë.’

Top Channel