Prodhuesi ukrainas i armatimeve akuzohet për tradhti pas përgjimit të telefonatave (fotot)

25/10/2022 17:05

Vyacheslav Boguslaev raportohet se kishte thënë se ‘e kuptoj mirë’ përse fabrika e tij e armëve u bombardua nga Rusia.

Janë publikuar së fundmi nga inteligjenca e Kievit regjistrimet e drejtorit të një uzine të prodhimit të armatimeve në Ukrainë, i cili akuzohet se ka ndihmuar Rusinë pasi kishte thënë se “e kuptonte shumë mirë” përse fabrika e tij u godit nga raketat ruse.

Vyacheslav Boguslaev, i cili u arrestua të dielën, ishte president i grupit të fuqishëm Motor Sich, që para luftës shiste motorë helikopterësh ushtarakë, përfshi edhe ndaj Rusisë.

Ai është akuzuar tashmë për tradhti pas bastisjes së shtëpisë së tij në fundjavë.

Regjistrimet e publikuara janë një provë e lidhjeve historike mes figurave të industrisë së armatimeve të dy vendeve dhe përpjekjeve për të larguar ata që mund të konsiderohen kolaboracionistë.

Në një prej regjistrimeve Boguslaev dëgjohet që i thotë bashkëbiseduesit të tij të paemëruar pas sulmit rus ndaj uzinës së Motor Sich në Zaporizhzhia se e konsideronte sulmin si një dëm kolateral të nevojshëm për fitoren e Rusisë.

“Nëse Putin heq dorë, atëherë nacionalistët do të na mbysin … një raketë Iskander-M ra në territorin e fabrikës. Nuk kemi asnjë ndjesi negative për këtë. Ne e kuptojmë plotësisht,” thoshte Boguslaev duke iu referuar sulmit rus.

Motor Sich ka trashëguar aftësitë prodhuese pas rënies së Bashkimit Sovjetik  dhe prodhon motorë e pjesë të tjera të përdorura nga ushtria ruse.

Shërbimet sekrete të Ukrainës thonë se telefonata ishte kryer mes Boguslaev dhe prodhuesve shtetërorë rusë të armatimeve.

Në një tjetër telefonatë të para 24 shkurtit kur nisi sulmi rus ndaj Ukrainës, Boguslaev thoshte se zyrtarët rusë po ndërrojnë të gjitha motorët e helikopterëve të tyre prandaj fabrika e tij do të kishte ‘shumë punë’.

Në një tjetër telefonatë të marsit, Boguslaev diskutonte atë që dukej si mënyra kalimi në vende të treta si Kroaci, Kazakistan e Kirgizstan për të shmangur sanksionet.

Shumica e telefonatave të përgjuara nga inteligjenca e Ukrainës duket se janë mes Boguslaev e Pyotr Motrenko, ish kreut të kompanisë Rostvertol, prodhuesi shtetëror i helikopterëve.

Boguslaev është një nga disa ukrainas në poste të larta që janë akuzuar për tradhti që prej vitit 2014 kur në Ukrainë erdhi ne pushtet qeveria pro-perëndimore.

FOTO GALERI
1/3
Regjistrimet e publikuara janë një provë e lidhjeve historike mes figurave të industrisë së armatimeve të dy vendeve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA