Megjithëse analizat mjekoligjore ende nuk kanë dalë ekspertët që po hetojnë shkakun e vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti nga ekzaminimet e kryera dyshojnë se shkak ka qenë lënda narkotike.

Grupi i mjekëve ligjorë ende nuk e ka rezultatin se sa ka qenë sasia e kokainës që është përthithur nga organizmi, por dyshojnë se efektet negative të saj janë përshpejtuar nga vrapi që viktima ka bërë për ti shpëtuar policisë.

Dyshohet se vrapi kombinuar me efektet e kokainës kanë rritur frekuencën kardiake dhe presionin e gjakut duke shkaktuar dëme shëndetësore që rezultuan fatale. Sipas mjekëve ligjorë këto kushte shëndetësore kanë shkaktuar komplikacione si hemoragji cerebrale dhe infarkt të miokardit.

Nga autopsia që iu krye Lear Kurtit mjekët gjetën në stomakun e tij një qese plastike me përmasa 5 me 5 centimetra, e cila u ekzaminua dhe rezultoi se kishte mbetje kokainë.

Hetuesit dyshojnë se 32-vjeçari mund ta ketë gëlltitur drogën për t’i shpëtuar arrestimit për posedim lëndësh narkotike, megjithëse ky veprim nuk është parë nga policët dhe nuk shfaqet qartë në pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ndalimi.

Lear Kurti u ndoq nga polica mbrëmjen e 19 tetorit teksa ishte duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka”. Pasi u prangos në rrugën “Don Bosko” dhe u dërgua në komisariat ai shfaqi problem shëndetësore dhe mbërriti i vdekur në spitalin e Traumës.

Për ngjarjen prokuroria e Tiranës po heton për veprën penale “Mosdhënie e ndihmës” dhe “Kryerje të veprimeve arbitrare”.

 

Top Channel