A po kërcënohen gjyqtarët? Kreu i SPAK e konfirmon: Po hetojnë çështje shumë të vështira, por janë të mbrojtur

25/10/2022 11:16

Kreu i SPAK Arben Kraja ka konfirmuar se gjyqtarë dhe prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, janë kërcënuar, pasi po merren me hetimin e çështjeve të vështira.

I pyetur nga gazetarët në deklaratën për mediat, Kraja tha se kërcënimet dhe presionet lidhen me dosjet e vështira që po hetohen, por theksoi se shumica e gjyqtarëve kanë mbrojtje nga policia.

Pyetje: Keni nisur ndonjë hetim në lidhje me informacione që po qarkullojnë se anëtarët e GJKKO ndihen të kërcënuar nga vendimet?

Kraja: Prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK kanë për të trajtuar cështje shumë të vështira me personazhe shumë kompleks, qoftë të krimit të organizuar, por qoftë edhe personazhe, zyrtarë të nivelit të lartë që ju e dini shumë mirë që janë në hetim. Dhe në këtë kuadër, ka patur indicia që ka patur edhe kërcënime, ka patur edhe presione. Ju e dini që shumë e prokurorëve por edhe gjyqtarëve të posacëm kanë mbrojtje që sigurohet me ligj nga shteti, por secili është duke vijuar detyrën ashtu sic e parashikon ligji.

Pyetje: Ka ndonjë hetim në lidhje me këto kërcënime?

Kraja: Nuk është kompetencë e SPAK të bëjë verifikime të tilla, ndaj nuk kam ndonjë informacion.

Për shantazhet ndaj njerëzve të drejtësisë po flet prej ditësh edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. E dërguara e SHBA ka treguar mbështetje të fortë për gjyqtarët që përballen me korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, duke organizuar takime të njëpasnjëshme me gjyqtarët e shkallës se parë antikorrupsion dhe në gjykatën e Apelit të Posaçëm,  për të nxitur  gjyqësorin e drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm.

Nuk ka ende asnjë informacion se kush qëndron pas shantazheve,  por Top Channel disponon informacionin se kush është kërcënuar.

Duket se vizita e vazhdueshme dhe mesazhet këmbëngulëse të ambasadores amerikane me trupat gjyqësore kanë lidhje me kërcënimin e një gjyqtareje të posaçme e cila u kërcënua, u shantazhua dhe u përndoq në mënyrë që të mos jepte drejtësi. Jo vetëm ajo por edhe familjarët e saj. Nga të dhënat që disponon Tch rezulton gjyqtarja në fjalë është shprehur me vendim. Ndërkohë që është marrë në ruajtje ajo dhe familjarët e saj, bëjnë me dije burimet e Top Channel.

Top Channel