Samiti BE-Ballkani Perëndimor i parashikuar për t’u mbajtur më 6 dhjetor në Tiranë, është konsideruar nga kryeministri Edi Rama, një ngjarje historike për vendin.
Ndërsa bën të njohur statusin e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, Rama shkruan se deri disa vite më parë nuk mund ta imagjinonte kush se liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel.
“Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës. Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.
Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian &Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, shkruan Rama.
Top Channel