58.5 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar ditën e sotme në Krujë.
Policia bën me dije se janë konstatuar dy ambiente në Krujë, të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis.
Si pasojë është vënë në pranga V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë. Përveç lëndës narkotike, u konstatua gjithashtu se këto dy ambiente furnizoheshin me me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Njoftimi i Policisë:
Sekuestrohen 58.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe municion luftarak.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Fokusi”.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga pronari i banesës ku u gjet edhe municion luftarak.
Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në, Krujë, si dhe bazuar në inteligjencë informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
-V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis. Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme. Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasit V. S.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel